LOKALE/Forcohet bashkëpunimi për mbrojtjen e shëndetit publik dhe reagimin ndaj emergjencave

Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH) në Gjilan, Enver Shabani, ka zhvilluar një takim pune me drejtoreshën dhe stafin e Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik (QRSHP), ku temë qendrore ishte forcimi i koordinimit ndërinstitucional për mbrojtjen dhe shpëtimin.

​Gjatë bashkëbisedimit u veçua rëndësia e mbrojtjes së shëndetit publik, me fokus të posaçëm te menaxhimi i situatave epidemiologjike, harmonizimi i veprimeve dhe reagimi i përbashkët në raste emergjente.

​Përfaqësuesit e të dyja institucioneve diskutuan për mundësitë e shkëmbimit të rregullt të të dhënave dhe analizave që lidhen me cilësinë e ujit të pijshëm, sigurinë ushqimore si dhe gjendjen epidemiologjike në rajon.

Gjithashtu, u shqyrtuan iniciativat për aktivitete të përbashkëta që synojnë ngritjen e kapaciteteve institucionale dhe parandalimin e rreziqeve që mund të cenojnë shëndetin e sigurinë e qytetarëve.

​Siç u vlerësua në takim, bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet DMSH-së dhe QRSHP-së është kyç për një qasje më të koordinuar dhe gatishmëri më të lartë përballë situatave emergjente, me prioritet absolut jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

​Nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim u riafirmua angazhimi për zgjerimin e bashkëpunimit me institucionet përkatëse, me mesazhin se “gatishmëria sot nënkupton siguri më të madhe nesër”.

Shpërndaj me të tjerët