Shkruar nga: Donika Mehmeti dhe Tiara Haziri
Me rastin e festës së 28 Nëntorit, në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” u organizua një program festiv, për të cilin nxënësit ishin përgatitur me përkushtim nën kujdesin e profesoreshës së Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, Bukurije Aliu – Sylejmani.
Nxënësit u kujdesën që ambienti i shkollës të ishte sa më festiv dhe në përputhje me rëndësinë e kësaj dite, duke e dekoruar me flamuj, ngjyra kuq e zi dhe simbole kombëtare.
Programi filloi me urimin e festës së 28 Nëntorit, të cilin në emër të drejtorisë së shkollës e përcolli zëvendësdrejtori Agim Asllani, për të vazhduar më pas me recitimin e poezive nga autorë të kohës së pavarësisë.
Përmes vargjeve të tyre, nxënësit përcollën ndjenjat e dashurisë për atdheun dhe rëndësinë e kësaj feste.
Më pas, programi vazhdoi me një kuiz në platformën Kahoot, i cili përfshinte pyetje nga historia, gjuha shqipe dhe arti, të gjitha të lidhura me 28 Nëntorin.
Ky aktivitet solli edhe më shumë gjallëri, pasi nxënësit patën mundësinë të testonin njohuritë e tyre në një mënyrë argëtuese dhe njëkohësisht edukative.
Në fund, festa u përmbyll duke shijuar ushqimet tradicionale të vendit tonë, të cilat i dhanë aktivitetit edhe më shumë ngrohtësi dhe frymë festive.
Nuk mungoi as muzika, e cila nxiti ndjeshmërinë artistike të nxënësve dhe u bë pikë bashkimi për të gjithë shkollën.
Në përgjithësi, kjo ditë ishte një përvojë e veçantë dhe e bukur për të gjithë ne, pasi përmes aktiviteteve të larmishme arritëm ta festonim së bashku një nga datat më të rëndësishme për kombin tonë.
Të gjithë nxënësit meritojnë përgëzime për programin e realizuar, në të cilin patën edhe mbështetjen e profesorëve të tyre: Bukurije Sylejmani – Aliu, Magbule Xhemaili, Kaltrina Jetishi dhe mësimdhënësve të tjerë.
Gëzuar 28 Nëntorin!
