Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se institucionet e sigurisë kanë arrestuar Fatmir Shehollin, i dyshuar për përfshirje në spiunazh. Arrestimi është kryer në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës (AKI) dhe Prokurorinë Speciale.
“Pres trajtim institucional me seriozitet të lartë të këtij rasti, i cili përbën një nga aktet më të rënda ndaj sigurisë dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, tha Sveçla. Ai shtoi se individë si ky kanë përdorur hapësira mediatike për të bashkëpunuar me aktorë që punojnë për të minuar Kosovën dhe progresin e saj.
Ministri theksoi se “koha e spiunëve të Serbisë në Kosovë ka përfunduar” dhe se çdo individ që punon kundër interesave të vendit do të ndiqet pa kompromis. Arrestimi është konfirmuar edhe nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

