ARSIM I LARTË/ UKZ dhe Instituti “Ali Hadri” koordinohen për Konferencën Shkencore

UKZ dhe Instituti i Historisë “Ali Hadri” koordinohen për organizimin e Konferencës Shkencore “Flaka e Janarit: sakrifica, rezistenca dhe kujtesa kombëtare”

Në kuadër të përgatitjeve për organizimin e Konferencës Shkencore me temën “Flaka e Janarit: sakrifica, rezistenca dhe kujtesa kombëtare (1980–1999)”, një delegacion i Institutit të Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë qëndroi për vizitë në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan.

Delegacioni i Institutit të Historisë, i përbërë nga drejtorja Prof. Dr. Teuta Shala Peli, Prof. Dr. Fatmir Arifi dhe znj. Ardiana Bajrami, u prit në takim nga Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku.

Gjatë takimit, Rektori Dërmaku shprehu gatishmërinë e universitetit për të mbështetur organizimin e kësaj konference shkencore, duke theksuar rëndësinë e trajtimit shkencor të periudhave dhe ngjarjeve që kanë shënuar historinë më të re të Kosovës.

Në ndërkohë, në Fakultetin e Shkencave Sociale u mbajt takimi pune ndërmjet përfaqësuesve të Institutit të Historisë “Ali Hadri” dhe stafit akademik të fakultetit. Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, së bashku me Prodekanin, Prof. Ass. Dr. Blerim Haziri, dhe profesorët Prof. Ass. Dr. Sylë Ukshini dhe Prof. Ass. Dr. Avni Rudaku, zhvilluan diskutime me delegacionin lidhur me koordinimin institucional për organizimin e konferencës.

Gjatë takimit u përcaktuan tezat kryesore të konferencës, si dhe kriteret administrative dhe përmbajtësore për realizimin e saj. Po ashtu, u diskutuan tema dhe ide të rëndësishme që do të shërbejnë si bazë për zhvillimin e mëtejshëm të konferencës.

Konferenca shkencore organizohet në bashkëpunim ndërmjet Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Institutit të Historisë “Ali Hadri” dhe Komunës së Gjilanit, me synimin për të trajtuar dhe ndriçuar aspektet historike, shoqërore dhe kombëtare të periudhës 1980–1999.

Organizatorët presin pjesëmarrjen e studiuesve, hulumtuesve dhe ekspertëve nga të gjitha trevat shqiptare, duke synuar që konferenca të kontribuojë në ruajtjen dhe promovimin e kujtesës historike kombëtare.

 

Shpërndaj me të tjerët