EKSKLUZIVE/ Gjilanasi që preku majat e mjekësisë, kush është dr. Ardian Shefkiu, drejtori i ri i Departamentit Shëndetësor në ShSKUK?

Të mbarosh gjimnazin në kohërat më të vështira të viteve të 90-ta, kur arsimi shqip mbijetonte nëpër shkolla-shtëpi, dhe të arrish të bëhesh një nga figurat më të rëndësishme drejtuese të shëndetësisë në nivel vendi, kjo është historia frymëzuese e dr. Ardian Shefkiut.

Sot, ai mban njërën nga pozitat më të larta menaxhuese në Kosovë, Drejtor i Departamentit Shëndetësor në ShSKUK, duke u bërë i vetmi drejtues nga Gjilani dhe rajoni i Anamoravës që arrin në këtë nivel të lartë të hierarkisë nw struktura tw këtij departamenti shëndetësor.

Nga “shkollat-shtëpi” në Gjilan drejt diplomimit në Tiranë

Dëshira e dr. Ardianit për të studiuar mjekësinë nuk ishte një rastësi, por një ëndërr e lindur në fëmijërinë e hershme, e ushqyer nga një familje me traditë të fortë arsimore.

“Frymëzim dhe idhull imi ka qenë axha im, tashmë në pension, i cili po ashtu ka studiuar mjekësinë dhe është një nga internistët më të mirë në Gjilan. Raporti i afërt me të më shtyu të orientohem në këtë drejtim,” tregon dr. Shefkiu.

Pas diplomimit në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, ai u kthye në vendlindje. Gjatë stazhit si mjek i përgjithshëm në Gjilan, kolegët specialistë dalluan te ai një afinitet të jashtëzakonshëm për lëmitë kirurgjike.

Hapat e parë ishin sfidues, duke punuar në mjekësinë primare nëpër qendra të ndryshme të Gjilanit dhe nëpër fshatrat përreth, para se të fitonte specializimin në Kirurgjinë e Fëmijëve në mars të vitit 2003.

Specializimi ndërkombëtar dhe thyerja e tabuve në Spitalin e Gjilanit

Periudha 6-vjeçare e specializimit e shëtiti dr. Ardianin në qendra të mëdha universitare brenda dhe jashtë vendit ku u trajnua ne disa fusha te Kirurgjise së fëmijëve!

Përveç QKUK-së, ai kaloi rreth dy vite në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë, në Universitetin e Zagrebit, si dhe në disa qendra elitare në Turqi (Stamboll, Ankara dhe Dijerbakër). Në mars të vitit 2009, ai e përfundoi specializimin me sukses të lartë.

Me t’u kthyer në Spitalin Regjional të Gjilanit (SRGj), bashkë me kolegët e repartit të Kirurgjisë e veçanërishtë së bashku me mentorin e tij te parë të Kirurgjisë së Fëmijëve Dr. Islam Rashitin ai realizoi operacione që nuk ishin bërë kurrë më parë në atë institucion.

“Ka qenë njëra nga periudhat më të mira të karrierës sime. Më ka dhënë një ndjenjë të veçantë shërbimi për shtresën më të ndjeshme dhe më të dashur të shoqërisë, trajtimi dhe shërimi i fëmijëve të vendlindjes sime dhe rajonit të Anamoravës,” evokon ai me mall atë kohë.

Ftesa nga QKUK dhe operacionet që zgjasin me orë të tëra

Shkathtësia dhe profesionalizmi i treguar gjatë periudhës së specilizimit dhe puna në Spitalin e Gjilanit ranë shpejt në sy të drejtuesve të Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve në QKUK. Duke parë potencialin e tij të madh, ata i ofruan dr. Ardianit që t’i bashkohej ekipit në Prishtinë.

Ai nuk hezitoi ta pranonte këtë ftesë, duke e parë si një mundësi të artë për t’u zhvilluar edhe më tej profesionalisht pranë kolegëve me nivel të lartë shkencor. Menjëherë pas kësaj, ai iu nënshtrua konkursit të rregullt publik, ku u përzgjodh dhe u pranua si kirurg i fëmijëve në këtë klinikë, vend ku vazhdon të kontribuojë edhe sot e kësaj dite.

Dr. Ardiani vazhdoi trajnimet e avancuara në vende evropiane për fusha specifike si kirurgjia minimale invazive, urologjia e fëmijëve dhe kirurgjia neonatale (e të porsalindurve).

Puna e kirurgut të fëmijëve është sa fisnike, aq edhe e rëndë. Dr. Ardiani tregon se shpeshherë, nga përgjegjësia dhe kompleksiteti i operacioneve, “djersa të shkon deri te këmbët”.

Ai kujton një rast mjaft sfidues: një operim të ndërlikuar të tumorit në veshkë te një fëmijë vetëm 3 vjeç, i cili zgjati plot 6 orë, por që përfundoi me sukses të plotë.

Nga Drejtor i Klinikës, në majat e menaxhimit të shëndetësisë kosovare

Përveç punës në sallën e operacionit, dr. Shefkiu tregoi aftësi të larta menaxhuese.

Nga viti 2022, ai udhëhoqi Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve për tre vite, duke sjellë risi shkencore, simpoziume dhe duke rritur gamën e operacioneve komplekse.

Më pas, për një vit e gjysmë shërbeu si U.D. Drejtor i Departamentit Shëndetësor në ShSKUK, ndërsa para pak muajsh u zgjodh zyrtarisht Drejtor i këtij Departamenti përmes konkursit.

Në hierarkinë e shëndetësisë kosovare, kjo pozitë është e treta me radhë, menjëherë pas Ministrit të Shëndetësisë dhe Drejtorit të Përgjithshëm të ShSKUK-së.

“Është një punë me shumë përgjegjësi dhe sfida të mëdha, pasi përfshin menaxhimin e të gjitha shërbimeve shëndetësore në nivelin sekondar (spitalet rajonale) dhe atë terciar (QKUK) në shkallë vendi. Edhe pse janë bërë investime të mëdha në infrastrukturë, pajisje e barna cilesore, nevojat janë gjithmonë në rritje dhe ne po angazhohemi maksimalisht,” thotë dr. Ardiani, i cili angazhimin e tij e vazhdon edhe në sektorin privat në Prishtinë dhe në Gjilan.

Sot, shëndetësia dhe kirurgjia në Kosovë kanë avancuar dukshëm. Shumë ndërhyrje që dikur i detyronin pacientët të kërkonin shërim jashtë vendit, sot kryhen me sukses të plotë në Kosovë. E pas këtij suksesi të madh, qëndron puna e palodhshme e njerëzve si Dr. Ardian Shefkiu, një menaxher parimor, i dashur dhe tejet i respektuar nga kolegët dhe pacientët.

Këto të arritura ai ia atribuon  familjes dhe në veçanti prindërve të tij  të cilët sakrifikuan shumë dhe nuk u kursyen asnjëherë!

Shënim:

Ky tekst nuk mund të kopjohet as të tjetërsohet.

Mund të shpërndahet vetëm si link.

Falemnderit për respektimin e etikës së gazetarisë!

Botuesi dhe redaktori:

/F.S./

 

 

Shpërndaj me të tjerët