EMOCIONUESE / Gjesti i Arian Mavriqit me flamurin prek zemrën e veteranit amerikan

Paul Rutter, pjesëtar amerikan i Peace Corps që jeton aktualisht në Kamenicë, ka ndarë një rrëfim emocional për fotografin e faunës dhe mbrojtësin e natyrës, Arian Mavriqi.

Ai tregon një moment të veçantë që i ka lënë përshtypje të thellë:

“Arian, një mik i vërtetë i Amerikës dhe i Shteteve të Bashkuara, e mori flamurin në shesh aty ku e kishte hedhur dikush. Në vend që ta linte të përdhosej, ai e ngriti, ia pastroi pak pluhurin dhe ma dorëzoi mua.”

Për Rutter-in, ky gjest kishte një domethënie të veçantë, pasi përkonte me një datë të dhimbshme personale,  41 vite më parë, vëllai i tij, LT Pittman Rutter, pilot i Marinës Amerikane (USN), kishte humbur jetën në shërbim të vendit të tij kur avioni i tij u rrëzua.

Edhe vetë Rutter është veteran ushtarak.

“Arjani nuk kishte asnjë mënyrë ta dinte rëndësinë e kësaj date,” shkruan ai.

Ai shton se edhe vetë ruan një flamur shqiptar të gjetur pranë një memoriali lufte, të cilin e mban si simbol respekti, së bashku me flamujt e Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

Në fund, Rutter e mbyll mesazhin me fjalë mirënjohjeje: “Faleminderit, miku im Arian.

Ti je gjithmonë i mirëpritur në shtëpinë time në Karolinën e Veriut.”

Shpërndaj me të tjerët