1742 gjoba për një javë në rajonin e Gjilanit, 10 aksidente me të lënduar
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, përmes Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor dhe stacioneve policore, gjatë periudhës 27 shkurt – 5 mars 2026, në kuadër të zbatimit të planeve operative për rritjen e sigurisë në trafik, ka shqiptuar gjithsej 1742 gjoba ndaj pjesëmarrësve në komunikacion.
Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar edhe aktivitete të tjera në kuadër të monitorimit dhe hetimit të aksidenteve në trafik.
Janë hetuar 6 aksidente trafiku me dëme materiale, ndërsa 10 aksidente të tjera kanë përfunduar me persona të lënduar.
Po ashtu, policia ka shqiptuar 24 gjoba për mosvendosje të rripit të sigurisë, 40 gjoba për përdorim të telefonit gjatë ngasjes, si dhe 28 gjoba për modifikim të automjeteve me folije të errëta.
Në kuadër të masave ndëshkuese, për 65 ngasës është shqiptuar masa e ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan apelon tek të gjithë ngasësit që të respektojnë rregullat dhe dispozitat ligjore në trafik, duke ulur shpejtësinë, duke mos përdorur telefonin gjatë vozitjes dhe duke vendosur rripin e sigurisë.
Policia gjithashtu kërkon kujdes të shtuar ndaj këmbësorëve dhe respektim të sinjalistikës rrugore dhe semaforëve.
“Siguria në rrugë është përgjegjësi e përbashkët. Ndihmoni në uljen e aksidenteve dhe ruajtjen e jetës”, thuhet në apelin e Policisë së Kosovës.
