Eliminimi i parakohshëm i SC Gjilanit nga garat e Kupës së Kosovës ka ngjallur reagime të shumta te tifozëria kuqebardhë, ku nuk ka munguar as nostalgjia për sukseset e dikurshme.
Raif Ajeti, një nga tifozët më të vjetër dhe më të flaktë të grupit “Skifterat”, përmes një fotografie të publikuar në llogarinë e tij në Facebook, ka rikujtuar periudhën e lavdishme kur klubi i tij i zemrës dominonte futbollin kosovar menjëherë pas çlirimit.
Ajeti ka publikuar dëshmi të trofeve të parë të fituar nga SC Gjilani, duke nënvizuar se ky klub i ka pasur në sirtarin e vet si Kupën, ashtu edhe Superkupën e Kosovës në vitet e para të pasluftës.
Ky postim i tij, përveçse një ironi e hollë ndaj situatës aktuale pas humbjes 2-1 nga Ballkani, shërben edhe si një thirrje për reflektim në një moment kur skuadra mbeti jashtë njërës prej rrugëve kryesore për daljen në Evropë.
Gjilanasit tashmë kualifikimin ndërkombëtar duhet ta kërkojnë vetëm përmes kampionatit, rrugë kjo që duket mjaft e vështirë pasi skuadra gjendet gjashtë pikë mbrapa liderit dhe katër pikë larg vendit të tretë.
Megjithatë, përkundër dëshpërimit të momentit, Ajeti ka shprehur besimin e tij të plotë se klubi i zemrës do të gjejë forcën dhe energjinë e duhur për t’u rikthyer fuqishëm.
Ai beson se SC Gjilani do të dijë të reagojë në ndeshjet e mbetura për t’i siguruar tifozëve të vet pjesëmarrjen në garat evropiane.
