Kush është piktori gjilanas me përmasa ndërkombëtare që po e drejton një ekspozitë të nivelit të lartë në Frankfurt të Gjermanisë?
Bëhet fjalë për artistin e njohur Sali Musliu, i cili aktualisht po udhëheq një ekspozitë emocionuese të artit të titulluar ”Europe is Great Again and Again” apo ne shqip “EVROPA ËSHTË E MADHE PËRSËRI & PËRSËRI!”, e cila është hapur më 23 tetor dhe do të jetë e qasshme deri më 6 nëntor 2025.
Ekspozita, që mbahet në Art Studio SALIMUSLIU / Skyline Plaza (kati 1), Europa Allee 6, Frankfurt am Main, sjell një paraqitje mbresëlënëse të dialogut dhe komunikimit personal në art.
Musliu, që tash e dy vite është drejtor i ekspozitës dhe menaxhon Art Studion e tij në Frankfurt, ka bërë të ditur se kjo ekspozitë përfshin 25 artistë nga Frankfurti dhe vende të ndryshme të botës, të cilët prezantojnë nga një punim secili.
Vetë piktori Musliu merr pjesë me veprën e tij të titulluar “Ballada Obscura”, ndërsa ka shprehur kënaqësi të madhe për interesimin dhe vizitat e shumta të publikut.
“Pas një pune të gjatë dhe përkushtimi në art, është ndjenjë e veçantë të shohësh që krijimtaria jonë vlerësohet dhe bashkon kaq shumë mendje krijuese,” ka theksuar Musliu.
Sali Musliu është një nga artistët më të rëndësishëm shqiptarë me përmasa ndërkombëtare, i renditur në mesin e 100 mijë artistëve më të mirë në botë.
Veprat e tij janë ekspozuar në muze prestigjiozë krah mjeshtrave të mëdhenj si Pablo Picasso, ndërsa ai njihet edhe si autori i logos së Kombëtares së Futbollit të Kosovës dhe krijues i shumë veprave ikonike të artit modern shqiptar.
Një artist me shpirt universal, Musliu vazhdon të kontribuojë në artin bashkëkohor evropian nga studioja e tij e njohur në Frankfurt – Skyline Plaza, Europa Allee 6.


