Në kuadër të aktiviteteve të vazhdueshme për rritjen e sigurisë në shkolla, Njësia Sektoriale dhe Njësia e Policisë në Komunitet të Stacionit Policor në Gjilan kanë zhvilluar një ligjëratë ndërgjegjësuese me nxënës të klasave të IV-ta dhe X-ta të shkollave “Zenel Hajdini” dhe “Thimi Mitko” në Gjilan.
Temat e trajtuara në këtë takim ishin: “Parandalimi i dukurive negative në shkolla”, “Delikuenca e të miturve”, “Pasojat dhe rreziku nga mbajtja e armëve të ftohta” si dhe “Krimet kibernetike”.
Gjatë bashkëbisedimit me nxënësit, u theksua rëndësia e madhe e rolit që kanë mësimdhënësit, stafi arsimor dhe vetë nxënësit në identifikimin, parandalimin dhe raportimin e dukurive negative që mund të shfaqen në ambientet shkollore.
Ky aktivitet është pjesë e iniciativave të vazhdueshme të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, në bashkëpunim me institucionet arsimore, me synim krijimin e një ambienti të sigurt dhe të qetë për të gjithë nxënësit.
Kjo është bërë e ditur nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan.

