Një letër e hapur drejtuar kryeministrit ngre shqetësime të thella rreth gjendjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke kërkuar mbështetje institucionale, transparencë dhe trajtim të barabartë për qytetarët e thjeshtë e jo vetëm privilegje për politikën.
Letra e plotë:
LETËR E HAPUR DREJTUAR KRYEMINISTRIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Z. Kryeministër, shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë nevojë për mbështetje konkrete, jo për premtime para kamerave!
E keni thënë saktë se duhet t’u mbyllet dera politikanëve të korruptuar. Por pyetja që shtrohet është: Pse u hapen dyert politikanëve, ndërsa qytetarëve të zakonshëm të Luginës së Preshevës vazhdojnë t’u mbyllen?
Populli shqiptar në Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit jeton prej vitesh nën ankthin e mbijetesës, presionit politik e institucional nga Serbia dhe përballë shkeljeve e mohimit të të drejtave themelore.
Sot, të jesh shqiptar në Luginën e Preshevës nuk është vetëm çështje identiteti, por edhe qëndrese, sakrifice dhe patriotizmi. Është shumë më lehtë të flasësh për patriotizëm nga Prishtina e Tirana sesa ta mbrosh çdo ditë identitetin kombëtar në Luginë.
Z. Kryeministër,
Premtimet milionëshe për shqiptarët e Luginës janë dëgjuar shumë herë para mediave, por qytetarët kanë të drejtë të pyesin: Ku janë rezultatet konkrete? Ku është transparenca? Kush ka përfituar realisht nga këto mjete?
Ekzistojnë shqetësime serioze se një pjesë e mbështetjes është shpërndarë mbi baza klanore dhe partiake, në vend që të arrijë te qytetarët që kanë më së shumti nevojë. Këto shqetësime kërkojnë transparencë dhe llogaridhënie.
Është e papranueshme që politikanëve të caktuar t’u hapen dyert e institucioneve, t’u mundësohet përfaqësimi politik dhe shtetësia, ndërsa shumë shqiptarë të Luginës, edhe pas 26 vitesh qëndrimi në Kosovë, vazhdojnë të përballen me pengesa për lejeqëndrim të përkohshëm, të përhershëm apo për shtetësi.
A është kjo drejtësi? A është kjo barazi? A është kjo përkujdesja që shteti ynë u premton shqiptarëve jashtë kufijve të Kosovës?
Nuk mund të flasim për bashkim kombëtar, solidaritet dhe patriotizëm, ndërkohë që qytetari i thjeshtë shqiptar mbetet i harruar, ndërsa politika vazhdon të privilegjojë njerëzit e saj.
Bojkotimi i zgjedhjeve dhe zhgënjimi i një pjese të madhe të qytetarëve duhet të jenë alarm për klasën politike shqiptare, si në Kosovë, Shqipëri, ashtu edhe në Luginën e Preshevës.
Populli nuk është pronë e partive politike dhe as mjet për interesa personale e klanore!
Z. Kryeministër,
Ne nuk kërkojmë privilegje. Kërkojmë drejtësi, dinjitet, trajtim të barabartë dhe mbështetje konkrete.
Kërkojmë që institucionet e Kosovës të jenë më afër qytetarëve të zakonshëm të Luginës dhe jo vetëm politikanëve që flasin në emër të tyre.
Lugina e Preshevës nuk ka nevojë për patriotizëm ceremonial, por për patriotizëm institucional, përgjegjësi shtetërore dhe vepra konkrete!
Mos e matni dashurinë për Luginën me miliona të premtuar para kamerave, por me numrin e familjeve që keni ndihmuar, me të drejtat që keni mbrojtur dhe me problemet që keni zgjidhur.
Sepse Lugina nuk është pronë e politikanëve. Lugina është populli i saj!
Nga: Fatmir Sopi, kryetar i OJQ “Guri i zi” – Bujanoc. / dita24h /
