Nga Qemal Murati
Fjalën “bukë”, me rrjedhojat e saj, e trajton në një studim të gjerë analitik filologu i njohur kroat Predrag Matvejević, me të dhëna edhe për shqipen: Shqiptarët bukën e quajnë bukë. Atë më të zezën e quajnë bukë e zezë.
Brezat e varfër e të uritur e adhuronin bukën si të ishte hyjni, me përbetimet: Pasha bukën!, Për bukët!, Për atë bukë!, maq. žimi lebot, serb. hleba mi. Askush përveç tyre nuk e quan bukën me këtë emër, as në Ballkan dhe as në një vend tjetër.
Nuk dihet saktësisht se prej nga e ka origjinën kjo fjalë, pra mund të jetë ilire apo trake, latine a veneciane.
Sigurisht është me rrënjë nga bocca (gojë, kafshatë e gojës) (Predrag Matveević, “Kruh naš”/ “Lebot naš”, MANU, Skopje, 2014, 89).
Nga pikëpamja etimologjike këtë leksemë e shtjellon Aleksandër Xhuvani (në një artikull të tij “Pse i themi bukës “bukë”?, “Studime gjuhësore”, 1956), i cili shprehehet: “Nuk di pse fjala jonë bukë dalka nga lat. bucca e nuk mund t’u lidhka me gjermanishten backen, që do të thotë edhe pjek ose me shqipen pjek, e atëhere bukë do të thotë gjë e pjekme.
” E më tej: “Mua më thotë mendja se fjalën bukë mund ta gjejmë te fjala shqipe shûjtë, mund të lidhet etimologjikisht me fjalën e greqishtes së vjetër stos, që do të thotë: ushqim, grun, miell, bukë.”
Të gjitha këto kombinime etimologjike nuk dalin të jenë të argumentuara e të pranueshme.
Gustav Meyer në fjalorin e tij etimologjik të gjuhës shqipe (1891) fjalën “bukë” e bie të ardhur nga lat. bucca “gojë”.
Etimologjinë latine e pranon E. Çabej, po me kuptimin “kafshatë” të lat. popullore, siç del ndër të tjera te buccam panis “një kafshatë bukë”, khs. rum. bucátǎ “copë, pjesë”; o bucatǎ de pâine një copë bukë; në shumës: gjellë të ndryshme; arum. bucatã, pl. bucats, cumatã “kafshatë”.
Cumatã si nu-armãnã di elji mallk. kafshatë u bëfshin, u kafshitofshin; fr. une bouchée de pain – një kafshatë bukë. fig. pour une bouchée de pain – fare lirë, xhaba; Zhvillimi kuptimor nga “kafshatë” në “bukë”, sipas Çabejt, u krye nëpërmes të një elipse, shkurtimi të brendshëm (si te e hënë – nga dita e hënë).
Kuptimi i hershëm i kafshatës ruhet në shprehjen për bukë të gojës (Çabej 1988: 357).
(Autori është studiues i Gjuhës shqipe dhe ish punëtor në Institutin Albanalogjik në Prishtinë)
