Ka njerëz që nuk e matin jetën vetëm me vitet që kalojnë, por me gjurmët që lënë në zemrat e njerëzve dhe në rrugëtimin e brezave të tërë. Drejtori i shkollës “Nazim Hikmet” në Dobërçan, prof. Fadil Shabani, është njëri prej tyre.
Sot, më 28 tetor 2026, në ditën kur mbush 65 vjet, ai përmbyll edhe një kapitull të rëndësishëm të jetës së tij profesionale, duke u pensionuar pas 37 vitesh përkushtim në arsim, prej të cilave mbi 14 vjet në drejtimin e SHFMU “Nazim Hikmet”.
I lindur më 28 tetor 1961 në Dobërçan, prof. Fadil Shabani e ndërtoi rrugën e tij profesionale mbi dijen, përgjegjësinë dhe dashurinë për arsimin.
Pas përfundimit të studimeve në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në drejtimin e Kimisë, në vitin 1989 nisi punën si mësimdhënës në shkollën “Nazim Hikmet”.
Për shumë vite, ai ndau me nxënësit jo vetëm njohuritë e lëndës, por edhe vlerat e punës, këmbënguljes dhe besimit te mundësitë e secilit.
Në kohë të vështira, përfshirë vitet e okupimit dhe periudhën pas luftës, ai qëndroi i palëkundur pranë shkollës dhe misionit të saj, duke kontribuar që drita e dijes të mos shuhej kurrë.
Në mars të vitit 2012, prof. Fadil Shabani mori përgjegjësinë e drejtimit të këtij institucioni arsimor. Që nga ajo ditë, puna e tij u përqendrua në krijimin e kushteve sa më të mira për mësimdhënie e mësimnxënie, në zhvillimin e shkollës dhe në hapjen e dyerve drejt partneriteteve të reja.
Lista e punëve dhe projekteve të realizuara është shumë e gjatë. Gjatë udhëheqjes së tij u përmirësua infrastruktura e shkollës, u pajisën kabinetet e Kimisë dhe Informatikës, klasat u pasuruan me videoprojektorë e tabela të mençura, u zhvillua biblioteka dhe u gjelbëruan hapësirat e jashtme.
Përmes bashkëpunimit me institucione, organizata dhe partnerë vendorë e ndërkombëtarë, u krijuan mundësi të reja për nxënësit dhe mësimdhënësit.
Nën udhëheqjen dhe mbështetjen e tij, nxënësit e shkollës shënuan rezultate në gara të diturisë në nivel komunal dhe shtetëror, veçanërisht në kimi, matematikë, teknologji informative, robotikë dhe sport. P
lani Zhvillimor i Shkollës u vlerësua nga GIZ ndër dhjetë planet më të mira në Komunën e Gjilanit, ndërsa në vitin 2019 prof. Fadil Shabani u nderua me mirënjohje si drejtori më i mirë në shkollat e komunës së Gjilanit.
Megjithatë, vlera e tij nuk matet vetëm me projektet e realizuara, pajisjet e siguruara apo vlerësimet e fituara.
Ajo matet edhe me besimin që ka krijuar, me mbështetjen që u ka dhënë të tjerëve dhe me gjurmët e kujtimet që ka lënë pas.
Prandaj, gjithmonë do të kujtohet për qasjen e tij njerëzore, urtësinë, gatishmërinë për bashkëpunim dhe respektin ndaj kolegëve, nxënësve, prindërve e komunitetit.
Mbi 14 vjet në drejtimin e shkollës “Nazim Hikmet” kanë lënë gjurmë të dukshme në zhvillimin e këtij institucioni, por edhe gjurmë njerëzore që nuk maten me shifra e që nuk do të fshihen me kalimin e kohës.
Në emër të kolektivit dhe nxënësve të SHFMU “Nazim Hikmet”, Dobërçan, i shprehen drejtorit Fadil Shabani falënderimet dhe mirënjohja më e thellë për gjithçka që ka dhënë me ndershmëri dhe përkushtim gjatë gjithë këtyre viteve./ dita24h /
