Nga Mimoza Kadriu
Vrasjet që po ndodhin në shoqërinë tonë kërkojnë reagim të vendosur të drejtësisë dhe dënime proporcionale me rëndësinë e krimit, përfshirë burgimin e përjetshëm aty ku parashihet dhe justifikohet ligjërisht. Por, a mjafton vetëm ndëshkimi për ta parandaluar dhunën?
Nga këndvështrimi psikologjik, agresiviteti nuk lind në vakum. Ai mund të ndikohet nga traumat e patrajtuara ndër breza, modelet familjare të dhunës, mungesa e rregullimit emocional, presioni social dhe financiar, si dhe normalizimi i dhunës si mënyrë për zgjidhjen e konflikteve.
Mjafton të shohim mënyrën se si shprehet revolta në hapësirat publike dhe në komentet në rrjetet sociale, për të kuptuar se sa shumë kemi nevojë për një debat shoqëror mbi kulturën e komunikimit, gjuhën agresive dhe modelet e dhunës që përcillen e ndonjëherë edhe normalizohen përmes mediave.
Kur dhuna paraqitet si mënyrë për të zgjidhur problemet, ekziston rreziku që ajo të perceptohet si sjellje e pranueshme. Prandaj, nevojitet përgjegjësi mediatike, kufizim i përmbajtjeve të dëmshme dhe edukim për konsumimin kritik të informacionit, pa cenuar lirinë e shprehjes.
Përveç drejtësisë, duhet të investojmë më shumë në parandalim: në mirëqenien sociale dhe ekonomike të familjeve, në edukimin emocional, në promovimin e shëndetit mendor dhe në identifikimin e hershëm të rrezikut për dhunë.
Duhet gjithashtu të shtohen kapacitetet profesionale dhe të mundësohet përfshirja e psikologëve në shkolla, shërbime shëndetësore, shërbime sociale dhe institucione të tjera ku mund të identifikohen e trajtohen në kohë vështirësitë emocionale dhe konfliktet.
Sytë i kemi të drejtuar nga drejtësia pasi ndodh krimi, por shumë më pak te mekanizmat që mund ta parandalojnë atë.
Një shoqëri e sigurt nuk ndërtohet vetëm me dënime të rënda. Ajo ndërtohet edhe duke trajtuar shkaqet e dhunës, duke mbrojtur viktimat, duke mbajtur autorët përgjegjës dhe duke krijuar kushte që dhuna të mos bëhet as model, as normë, as zgjidhje.
Autore është psikologe dhe drejtoreshë e Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Gjilan. / dita24h /
