AFARIZËM/Albert Selishta prezanton potencialin ekonomik të Anamoravës para bizneseve në Bursa të Turqisë

Gjilanasi dhe njohësi i rrethanave ekonomike e politike në Turqi, Albert Selishta, po merr pjesë në një takim me përfaqësues të shoqatave biznesore në Bursa të Turqisë, me ftesë të Vehbi Varlık.

​Në këtë takim javor, ku i ftuar ishte edhe kryetari i Kuvendit të Odës Ekonomike të Bursës, Erol Dağlıoğlu, u trajtuan sfidat e bizneseve në provincën e Bursës dhe mundësitë që ofron tregu i brendshëm.

​Përmes një njoftimi, Selishta ka bërë të ditur se gjatë bashkëbisedimit ka prezantuar potencialin e Kosovës, e veçanërisht të rajonit të Anamoravës, për të tërhequr investime të reja.

​Ai ka theksuar se kufizimet e Bashkimit Evropian ndaj disa bizneseve prodhuese nga Turqia mund të kthehen në një mundësi konkrete për vendin tonë.

​„Përmes politikave të përshtatshme dhe krijimit të kushteve të favorshme për investitorët, vendi ynë, e veçanërisht Anamorava, mund të ofrojë alternativa tërheqëse për investime dhe zhvillimin e kapaciteteve të reja prodhuese“, ka bërë të ditur Selishta.

​Sipas tij, Kosova duhet t’i shndërrojë sfidat e tregjeve ndërkombëtare në mundësi konkrete për zhvillim ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik me Turqinë.

​Me këtë rast, Selishta u ka uruar të pranishmëve edhe 29 Tetorin, Festën e Republikës së Turqisë./dita24h/

Shpërndaj me të tjerët