Drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Mimoza Kadriu, ka vizituar sot zyrat e Shoqatës së Pensionistëve në Gjilan, ku është pritur nga kryetari Metush Dubova dhe kryetarja Gynai Bajrami.
Pas renovimit të zyrave, tashmë ka përfunduar edhe inventarizimi i plotë i hapësirave të dedikuara për pensionistët, duke bërë një hap të rëndësishëm drejt funksionalizimit të tyre të plotë.
Nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale bëhet e ditur se me këtë investim po realizohet edhe një premtim i kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, për krijimin e kushteve sa më të mira për pensionistët e komunës.
“Tashmë, edhe aktivi i grave pensioniste dhe pensionistët në përgjithësi do të kenë hapësirat e tyre, ku mund të kalojnë kohën e lirë, të organizojnë aktivitete dhe të ruajnë lidhjet shoqërore”, ka thënë drejtoresha Kadriu.
Ajo ka potencuar se kujdesi për moshën e tretë nënkupton respekt të ndërsjellë për përvojën, dinjitetin dhe kontributin e tyre të paçmueshëm në shoqëri, duke premtuar angazhim të vazhdueshëm që kjo kategori të ketë kushte për një jetë aktive e dinjitoze./dita24h /
