Xhemati i xhamisë së Dardanisë në Gjilan mirëpret mërgimtarët me ujë të ftohtë dhe ëmbëlsira

 

Xhemati i xhamisë së lagjes Dardania në Gjilan, në krye me imamin Shaban Murati, ka ndërmarrë sot një gjest simbolik, por me shumë domethënie: para dhe pas faljes së xhumasë, kanë shpërndarë ujë të ftohtë dhe ëmbëlsira për bashkatdhetarët nga diaspora, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për ta.

Ky veprim i ngrohtë dhe mikpritës u prit me shumë pozitivitet nga mërgimtarët, të cilët tashmë ndodhen në vendlindje për pushime verore pranë familjarëve të tyre.

Mërgata konsiderohet një nga asetet më të mëdha të Kosovës,  dhe Gjilani, bashkë me rrethinën e tij, është ndër qytetet me numrin më të madh të mërgimtarëve që kthehen çdo vit për të sjellë gjallëri dhe dashuri në vendin e tyre.

Ky gjest human ka nxitur edhe vepra të tjera të mira: menjëherë pas xhumasë, një mërgimtar ka dhuruar 100 euro për të mbuluar shpenzimet e ujit për javën e ardhshme.

Xhemati dhe imam Shaban Murati theksuan se ky është vetëm një shenjë falënderimi për kontributin e madh të mërgatës, jo vetëm ekonomik, por edhe shpirtëror dhe kombëtar.

 

 

Shpërndaj me të tjerët