Procesi i numërimit të votave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po shkon drejt fundit, por ethet e rezultateve përfundimtare po shtohen.
Sipas një analize të hollësishme të bërë nga Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), dinamika e numërimit të votave të mbetura pritet të lëvizë numrin e mandateve për subjektet kryesore politike.
Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje pritet të rritet në 53 deputetë, gjë që do të prekë drejtpërdrejt numrin e ulëseve të LDK-së ose PDK-së, të cilat tani ndodhen në një garë tepër të ngushtë e me një diferencë minimale votash.
Më poshtë mund ta lexoni postimin e plotë dhe pa ndërhyrje të Eugen Cakollit:
“Kur kanë mbetur për t’u numëruar edhe disa dhjetëra kuti të votave me postë, tashmë është pothuajse e sigurt që shpërndarja e mandateve mes partive do të ndryshojë.
Sipas trendeve aktuale dhe me numërimin e edhe disa mijëra votave shtesë, Lëvizja Vetëvendosje do të kalojë në 53 mandate. Me shumë gjasë ky do të jetë edhe numri përfundimtar i ulëseve për këtë subjekt politik.
Ajo që mbetet ende e diskutueshme është se kujt do t’i merret ky mandat.
Gjasat janë që, në momentin e parë kur numri i mandateve të ndryshojë, LDK-ja të jetë partia që fillimisht e humb mandatin e 19-të. Megjithatë, deri në përfundim të numërimit të të gjitha votave me postë, bazuar në trendin e përgjithshëm dhe përqindjet sipas komunave, pak më shumë gjasa ka që në fund PDK-ja ta humbë mandatin e 22-të.
Pra, gara mes PDK-së dhe LDK-së për mandatin e fundit mbetet tepër e ngushtë. Dallimi në koeficientë mes tyre mund të përkthehet praktikisht në më pak se 100 vota në fund të procesit.
Kjo nënkupton se mandati i fundit do të mund të përcaktohet edhe nga votat me kusht, të cilat zakonisht ndjekin më shumë trendin e votimit brenda Kosovës – dhe kjo potencialisht mund ta favorizojë fare lehtë PDK-në. Në anën tjetër, AAK pritet përfundimisht të mbetet në 7 ulëse.
Me dinamikën e shtuar të punës në QNR, numërimi i votave me postë do të përmbyllet më së largu nesër paraditë, derisa votat me kusht deri nesër në mesnatë. Pastaj, në varësi të përqindjes së vendvotimeve (deri në 10% maksimum) që do të rinumërohen me vendim të KQZ-së, i tërë procesi i numërimit do të duhej të përmbyllej në fund të kësaj jave.”

