DREJTËSIA / Gjykata e Gjilanit dhe Akademia e Drejtësisë bëhen bashkë për avancimin profesional të gjyqtarëve

Nënkryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Rilind Sermaxhaj, ka pritur këtë të martë në një takim zyrtar Drejtorin e Akademisë së Drejtësisë, Enver Fejzullahu, së bashku me bashkëpunëtorët e tij.

Takimi u fokusua në dy shtylla kryesore: forcimin e bashkëpunimit mes dy institucioneve dhe identifikimin e saktë të nevojave për zhvillim profesional të stafit gjyqësor.

Gjatë këtij bashkëbisedimi, vëmendje e veçantë iu kushtua nevojave trajnuese të gjyqtarëve dhe stafit administrativ të Gjykatës së Gjilanit.

Palët diskutuan gjerësisht për sfidat e përditshme me të cilat përballet ky staf në ushtrimin e detyrave të tyre, si dhe për mundësitë reale të avancimit të kapaciteteve profesionale përmes programeve të specializuara që ofron Akademia e Drejtësisë.

Nga ana e tij, drejtori Fejzullahu nënvizoi se ky proces konsultativ është mjaft i rëndësishëm, pasi synon të sigurojë që programet e ardhshme trajnuese të hartohen në përputhje të plotë me nevojat reale të sistemit gjyqësor, duke u bazuar gjithmonë në diskutime të drejtpërdrejta me institucionet që përfitojnë nga këto trajnime.

Iniciativa u përmbyll me dakordimin e plotë të krerëve të të dy institucioneve për të vazhduar këtë bashkëpunim dypalësh, me synimin e përbashkët për zhvillimin e vazhdueshëm profesional të gjyqtarëve e stafit gjyqësor, si dhe për forcimin e kapaciteteve që janë në shërbim të drejtësisë dhe të gjithë qytetarëve.

 

Shpërndaj me të tjerët