Kombëtarja e Anglisë është përballur me një incident të pazakontë sigurie në prag të Kupës së Botës, pasi këpucët e futbollit të lojtarëve janë vjedhur para se skuadra të zhvillonte stërvitjen e parë në Kansas City.
Sipas raportimeve, vjedhja ka ndodhur gjatë transportimit të pajisjeve nga baza përgatitore e ekipit në Florida drejt kampit stërvitor në Swope Soccer Village, në Missouri.
Mes sendeve të vjedhura raportohet se ndodheshin këpucët e disa prej yjeve të Anglisë, topa zyrtarë të turneut dhe pajisje të tjera stërvitore.
Policia e Kansas City ka nisur hetimet lidhur me rastin dhe ka konfirmuar se dy persona të dyshuar janë ndaluar për t’u marrë në pyetje.
“Dy persona me interes për hetimin janë ndaluar, ndërsa hetimet po vazhdojnë”, ka deklaruar një zëdhënës i policisë.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Thomas Tuchel pritet të zhvillojë stërvitjen e parë në bazën e saj, ndërsa Federata Angleze e Futbollit (FA) nuk ka komentuar ende zyrtarisht mbi incidentin.
Anglia do ta nisë aventurën në Kupën e Botës me ndeshjen ndaj Kroacisë në Dallas, të mërkurën.
Pavarësisht këtij problemi logjistik, atmosfera në kampin anglez ishte pozitive pas miqësoreve të fituara ndaj Zelandës së Re dhe Kosta Rikës.
Mes lojtarëve që kanë lënë përshtypje të mira është Jude Bellingham, i cili ka rritur gjasat për të nisur si titullar kundër Kroacisë.
Ndërkohë, Bukayo Saka po lufton me kohën për t’u rikuperuar nga një problem në tendinën e Akilit, ndërsa Ezri Konsa dhe John Stones mund të formojnë qendrën e mbrojtjes.

