POLITIKË LOKALE / Muhadin Haziri sqaron çështjen e dhënies në shfrytëzim të pronave komunale

Këshilltari komunal i LDK-së në Gjilan, Muhadin Haziri, ka dalë me një sqarim publik lidhur me vendimin për dhënien në shfrytëzim të hapësirave komunale, duke theksuar se çështja duhet të trajtohet në përputhje me rekomandimet e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).

Sipas Hazirit, edhe pse Kuvendi Komunal kishte miratuar me shumicë votash vendimin për listën e veçantë të pronave të paluajtshme për shfrytëzim afatshkurtër dhe afatgjatë gjatë vitit 2026, MAPL ka konstatuar se ai nuk është në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Ai bëri të ditur se tani i mbetet Kryesueses së Kuvendit ta shqyrtojë rekomandimin e MAPL-së dhe, nëse procedurat e kërkojnë, në seancën e radhës të procedohet me anulimin e vendimit.

Haziri theksoi se të gjithë anëtarët e Kuvendit e kanë votuar këtë pikë duke u bazuar në propozimin për dhënien në shfrytëzim për një periudhë 15-vjeçare, duke hedhur poshtë pretendimet se largimi i saj nga rendi i ditës ka ndodhur si rezultat i presioneve individuale.

Ai shtoi se pika e vetme e tërhequr nga rendi i ditës për shkak të reagimeve ka qenë ajo që kishte të bënte me lokacionin e deponisë inerte në Malishevë, pas shqetësimeve të shprehura nga banorët, Këshilli i Fshatit dhe subjektet politike.

Në fund, Haziri apeloi që çështjet institucionale të mos personalizohen dhe të mos përdoren për përfitime politike, duke kërkuar respektim të procedurave ligjore dhe të fakteve në debatet publike.

Shpërndaj me të tjerët