Këshilltari i Kuvendit Komunal të Gjilanit, Fadil Ademi, i shoqëruar nga Selami e Dushi, ka ndërmarrë një nismë vullnetare në mbështetje të institucioneve arsimore dhe shëndetësore të qytetit.
Në kuadër të këtij aksioni, i realizuar me ndihmën e donatorëve dhe miqve të ndryshëm, janë dhuruar pesë aparate uji dhe dy kositëse bari për mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra.
Pajisjet e ujit janë vendosur në tri shkolla fillore – “Abaz Ajeti”, “Thimi Mitko” dhe “Zija Shemsiu” – si dhe në Ambulancën e lagjes “Arbëria” e në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), në shërbim të nxënësve dhe pacientëve. Ndërkaq, kositëset e barit iu dorëzuan shkollave “Sadulla Brestovci” dhe “Abaz Ajeti”.
Ademi shprehu mirënjohje për të gjithë kontribuuesit, përfshirë kompaninë “Ujë DEA” për dhurimin e bidonave, duke nëvizuar se veprime të tilla qytetare synojnë përmirësimin e kushteve dhe lehtësimin e përditshmërisë në komunitet.
