DREJTËSI/Gjykata Themelore në Gjilan merret si model për gjykatat e tjera

Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Venhar Salihu, i shoqëruar nga mbikëqyrësit e degëve, administratori dhe ndihmës administratorët, ka pritur sot në një takim pune Komisionin për Administrimin e Gjykatave të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK).

​Delegacioni i KGJK-së u kryesua nga gjyqtari Fahret Vellija, me pjesëmarrjen e anëtarëve të Komisionit, gjyqtarit Besnik Bislimaj, profesorit Ahmet Imami, si dhe përfaqësuesve të Sekretariatit të KGJK-së.

​Fokus i këtij takimi ishin raportet dhe gjetjet e Njësisë për Inspektim, rekomandimet e dala nga ky proces, si dhe masat konkrete të ndërmarra nga Gjykata Themelore në Gjilan dhe degët e saj për adresimin e tyre.

Diskutimet u përqendruan në avancimin e cilësisë së administrimit, rritjen e efikasitetit, profesionalizmit dhe përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve për qytetarët dhe palët në procedurë.

​Gjatë takimit, kryetari i Komisionit, Fahret Vellija, vlerësoi lart menaxhmentin e Gjykatës Themelore të Gjilanit për përmirësimin e gjendjes, duke theksuar se punët e realizuara dhe standardi i arritur duhet të shërbejnë si model për gjykatat e tjera në vend.

Ai kërkoi që ky nivel, i arritur me punë të jashtëzakonshme e të vazhdueshme, të ruhet dhe të përmirësohet tutje në çështjet teknike.

​Nga ana e tij, kryetari i Gjykatës, Venhar Salihu, falënderoi anëtarët e komisionit për vlerësimin dhe u shpreh se do të merren hapa të menjëhershëm për eliminimin e çdo problemi të vogël teknik që paraqitet në punën e përditshme.

Ai siguroi se menaxhmenti do të bëjë të gjitha përpjekjet që ky standard jo vetëm të ruhet, por edhe të avancohet më tej.

​Në përmbyllje të takimit, të pranishmit nënvizuan rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Gjykatës, Komisioneve të KGJK-së dhe njësive të Sekretariatit, me qëllim adresimin e sfidave, zbatimin e rekomandimeve dhe ngritjen e mëtejshme të funksionimit të sistemit gjyqësor në rajonin e Gjilanit.

Shpërndaj me të tjerët