KRONIKË/Arrestohet një person për armëmbajtje pa leje në Viti

Policia e Kosovës ka arrestuar sot një person në fshatin Kabash të komunës së Vitisë, nën dyshimin e bazuar për mbajtje të paautorizuar të armëve dhe municionit.

​Aksioni është zhvilluar nga Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme pranë Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, i cili ka zbatuar urdhëresën e lëshuar nga Gjykata Themelore për kontrollin e shtëpisë dhe objekteve përcjellëse të të dyshuarit.

​Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrollit në pronën e të dyshuarit kosovar, policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësi të provave materiale një armë të gjatë automatike të llojit AK-47, dy karikatorë, 47 fishekë të kalibrit 7.62x39mm të vendosur në karikatorë si dhe edhe 24 fishekë të tjerë të po këtij kalibri.

Po ashtu, janë sekuestruar edhe 41 fishekë të kalibrit 9×19 mm, tre fishekë të kalibrit 7.65×17 mm, një palë dylbi, tre boksa metali, një palë pranga me çelësin përkatës si dhe një brisk.

​Pas përfundimit të kontrollit, i dyshuari është shoqëruar në ambientet policore ku është intervistuar nga hetuesit.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa çështja i ka kaluar organit të akuzës për procedim të mëtejshëm ligjor.

Shpërndaj me të tjerët