Elbasan Shabani, përfaqësues i Lëvizjes Vatra në Gjilan, ka njoftuar përmes profilit të tij zyrtar se do të jetë kandidat për deputet në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që do të mbahen më 28 dhjetor.
Ai ka bërë të ditur se kandidimi i tij do të jetë në listën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), pas koalicionit të arritur në nivel qendror mes AAK-së dhe Lëvizjes Vatra.
Në njoftimin e tij, Shabani ka shkruar: “Në zgjedhjet nacionale të 28 dhjetorit, kam vendosur të kandidoj për deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Do të garoj në listën e AAK-së, pas një koalicioni të nivelit qendror mes AAK-së dhe Vatrës. Ky hap buron nga dëshira ime e sinqertë për t’i shërbyer vendit, për të dëgjuar zërin tuaj dhe për të punuar çdo ditë e më shumë për një të ardhme më të mirë. Pres mbështetjen tuaj dhe bashkë mund ta ndërtojmë Kosovën që duam.”
Në zgjedhjet lokale të fundit, Shabani kishte qenë pjesë e listës garuese të këtij subjekti politik, megjithatë Vatra kishte arritur të sigurojë vetëm një asamblist në Kuvendin Komunal të Gjilanit.

