Drita rikthehet në Gjilan, vazhdon përgatitjet për sfidën evropiane

 

Drita rikthehet në Gjilan, vazhdon përgatitjet për sfidën evropiane

Pas përfundimit të fazës përgatitore në Bansko të Bullgarisë, ku qëndroi për 12 ditë, skuadra e KF Drita është rikthyer në Gjilan për të vazhduar përgatitjet në prag të ndeshjes së parë zyrtare në kuadër të rundit të parë të Ligës së Kampionëve.

Të enjten pasdite ishte paralajmëruar se Drita do të nisë  stërvitjet në qytetin e saj, me fokus të veçantë në ushtrime tekniko-taktike, teksa afrohet sfida e 8 korrikut, që do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Ndërkaq,  gjatë qëndrimit në Bullgari, bardhekaltërit zhvilluan pesë ndeshje kontrolluese, duke shënuar 3 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje, me golaverazh 9:5. Programi stërvitor u përmbush sipas planit, ndërsa ekipi ka funksionuar në mënyrë të plotë, me përjashtim të një mungese të përkohshme të Egzon Bejtullait, i cili u përball me një lëndim të lehtë.

Drita po synon të jetë në formën më të mirë për përballjen evropiane, që pritet me interes të madh nga tifozët dhe opinioni sportiv.

 

Shpërndaj me të tjerët