Largësia gjeografike dhe me mijëra kilometra distancë asnjëherë nuk kanë qenë pengesë për të mbajtur gjallë dashurinë për vendlindjen dhe ekipin e zemrës.
Avni Hasani nga Gjilani, i cili jeton dhe vepron si mërgimtar në Amerikë prej pothuajse tre dekadash, është shembulli tipik i përkushtimit dhe atdhedashurisë.
Edhe pse ka afro 30 vjet që ndërton jetën e tij përtej Oqeanit Atlantik, ai çdo vit kthehet me mall në Gjilan. Siç shprehet edhe vetë me plot krenari, “si në Gjilan nuk ka askund në botë”.
Futbolli si passion dhe zgjimi në orën 5 të mëngjesit
E veçanta e Avniut lidhet ngushtë me pasionin e tij të madh për sportin, e në veçanti për futbollin.
Dashuria për klubin e tij të zemrës, FC Dritën, nuk njeh kufij e as zona orare. Për shkak të dallimit të madh kohor me SHBA-në, ai shpesh zgjohet që në orën 5 të mëngjesit vetëm për të ndjekur ndeshjet e ekipit gjilanas.
”Këtë e bëj me shumë dëshirë dhe vullnet. Drita është pjesë e zemrës sime dhe me ëndje të madhe i shikoj ndeshjet e saj. Nuk më ikën pothuajse asnjë ndeshje pa e parë,” tregon ai me emocion.
Sapo ka zbarkuar në Gjilan për vizitën e radhës, një nga ndalesat e tij të para ka qenë pikërisht vizita në ambientet e klubit të Dritës, për të hequr një pjesë të mallit të grumbulluar gjatë gjithë vitit.
Aktiv në fushë edhe në Arizona
Dashuria e tij për topin e futbollit nuk mbetet vetëm para ekranit. Edhe pse në moshë të mesme, Avniu merret rregullisht me aktivitete sportive.
Në shtetin e Arizonës ku jeton, ai merret me organizimin e ndeshjeve dhe turneve të ndryshme të futbollit, duke mbajtur gjallë frymën sportive dhe lidhjen me komunitetin.
