Gjilani nis përgatitjet për sezonin e ri futbollistik

Skuadra “kuqebardhë”  e Gjilanit ka nisur fazën e parë të përgatitjeve bazike për stinorin e ri futbollistik. Pas pesë ditësh stërvitje intensive në stadiumin me bar sintetik, trajneri Ardian Nuhiu dhe ekipi i tij po përgatiten me intensitet të lartë për sezonin që vjen, edhe pse stadiumi i qytetit, siç dihet, është në ndërtim e sipër dhe nuk disponon një fushë me bar natyral.

Faza e parë e përgatitjeve do të vazhdojë deri më 16 korrik, ndërsa më 17 korrik skuadra do të udhëtojë për në Bansko të Bullgarisë për të vazhduar përgatitjet për sezonin e ri.

Ndeshje kontrolluese dhe faza përgatitore

Gjatë kësaj periudhe, Gjilani do të zhvillojë gjithsej gjashtë ndeshje kontrolluese, dy prej të cilave do të zhvillohen në Kosovë dhe katër të tjera në Bullgari. Këto duele janë një mundësi për trajnerin dhe lojtarët për të testuar formën dhe për të krijuar ritmin e nevojshëm për ndeshjet e sezonit.

 

 

Lëvizje të rëndësishme në përbërje

Skuadra ka pësuar disa ndryshime në përbërje. Nga ekipi janë larguar disa futbollistë, ndër të cilët Marko Roganovic, Besir Ramadani, Arago Jamal, Kushtrim Shabani dhe Alisson. Nga ana tjetër, ekipi ka forcuar përbërjen me afrimin e Mevlan Adilit, Besart Krivanjevës, Lorik Boshnjakut dhe Mehdi Çobës.

Po ashtu, kontratat e dy futbollistëve të rëndësishëm, Aridon Bllacës dhe Rrezon Matoshit, janë rinovuar, duke i dhënë ekipit më shumë stabilitet për sezonin e ri.

 

 

Shpërndaj me të tjerët