Sot ka përfunduar viti shkollor 2025/2026 për nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm të ulët në Kosovë.
Me këtë rast, në shumë shkolla janë organizuar takime ndërmjet mësuesve dhe prindërve për ndarjen e dëftesave dhe informimin mbi suksesin, sjelljen dhe angazhimin e nxënësve gjatë vitit shkollor.
Pikërisht pas një takimi të tillë, një prind nga Gjilani ka shprehur publikisht zhgënjimin e tij për mungesën e interesimit të prindërve.
Ai shkruan:
“Sot, në ditën e fundit të vitit shkollor, mbeta me një ndjenjë zhgënjimi.
Në një klasë me rreth 20 nxënës, vetëm 3 prindër ishim të pranishëm për të dëgjuar nga afër vlerësimin e mësuesit për suksesin, sjelljen dhe angazhimin e fëmijëve tanë gjatë gjithë vitit.
Kjo më bëri të mendoj: a po u kushtojmë fëmijëve tanë kohën dhe vëmendjen që meritojnë?
Nuk është fjala vetëm për këtë ditë. Gjatë gjithë vitit shkollor duhet të kemi më shumë takime dhe biseda me mësuesin, të interesohemi për fëmijët tanë, për suksesin e tyre, sjelljen, vështirësitë dhe çdo gjë që lidhet me zhvillimin e tyre.
Shpesh presim shumë nga shkolla dhe nga mësuesit, por duhet ta pranojmë edhe përgjegjësinë tonë si prindër. Fëmija nuk ka nevojë për ne vetëm kur merr një notë të mirë apo një sukses.
Ai ka nevojë për praninë, përkrahjen dhe interesimin tonë çdo ditë.
Një dëftesë në fund të vitit nuk tregon gjithçka. Pas çdo note është një fëmijë që ka nevojë të dëgjohet, të përkrahet dhe të udhëhiqet.
Ky është një shqetësim, por edhe një thirrje për reflektim për të gjithë ne si prindër. Nëse sot nuk gjejmë kohë për fëmijët tanë, nesër mund të jetë shumë vonë për të rregulluar atë që kemi lënë pas dore.
Sepse edukimi i një fëmije nuk ndërtohet vetëm në shkollë. Ndërtohet bashkë, nga familja dhe shkolla.”

