Pas çlirimit të qytetit të Gjilanit dhe largimit përfundimtar të forcave serbe, Komanda e Shtabit të Zonës Operative të Karadakut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) mori një vendim me peshë të madhe historike dhe simbolike. Më 16 qershor 1999, saktësisht 27 vite më parë, selia e kësaj komande u vendos në shtëpinë e Heroit të Kombit, Rexhep Malaj.
Përmes një shkrimi përkujtimor, veprimtari Ismet Sylejmani ka evokuar kujtimet e asaj periudhe, duke e cilësuar këtë vendim si një akt të lartë të nderimit kombëtar ndaj njërës prej figurave më qendrore të qëndresës shqiptare.
Lidhja mes dy brezave të qëndresës
Sipas Sylejmanit, ky nuk ishte thjesht një vendim organizativ apo ushtarak i ditëve të para të lirisë, por një mesazh i fuqishëm i vazhdimësisë së idealeve:
“Vendosja e Selisë në shtëpinë e Heroit të Kombit, Rexhep Malaj, ishte një dëshmi e qartë se liria e fituar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte rrënjë të thella në veprën, sakrificën dhe amanetin e Tij. Ajo shtëpi për dekada ishte shndërruar në simbol të guximit, të përkushtimit dhe të besimit të palëkundur në lirinë e Atdheut”, thekson ai.
Kjo kullë, e cila për vite me radhë kishte përballuar përndjekjet, bastisjet dhe terrorin permanent të pushtuesit, në qershorin e vitit 1999 u shndërrua simbolikisht në “zemrën” e Karadakut të çliruar, duke bërë një lidhje të natyrshme mes brezit të organizimit ilegal të viteve të errëta dhe luftëtarëve të UÇK-së që e kurorëzuan atë medali me fitore.
Monument i gjallë i lirisë
Nga ajo shtëpi, e larë me sakrificë, në ditët e para të lirisë u përcollën vendime, urdhra dhe mesazhe që shënonin fillimin e një epoke të re për Gjilanin dhe mbarë Kosovën.
Në përmbyllje, Sylejmani nënvizon se shtëpia e titanit legjendar Rexhep Malaj mbetet një monument i gjallë i historisë dhe krenarisë sonë kombëtare, duke dëshmuar se UÇK-ja nuk i harroi kurrë emrat që qëndronin në themelet e rrugëtimit të saj të lavdishëm.

