OPINION/ Turneu Tradicional “2 Korriku”, 36 vite histori dhe traditë

Turneu “2 Korriku” lindi si një ngjarje historike në nderim të shpalljes së Kushtetutës së 2 Korrikut 1990 në Kaçanik.

Që nga ajo ditë e deri më sot, ky turne është organizuar pa ndërprerje, duke shënuar këtë vit plot 36 vite traditë.

Rrugëtimi i turneut ka kaluar nëpër shumë etapa. Fillimisht, ndeshjet zhvilloheshin në fusha me baltë, më pas në zhavorr, më vonë në asfalt, ndërsa sot organizohen në një fushë moderne me tepih artificial, e ndërtuar sipas standardeve më të mira për lojtarët.

Përveç kushteve cilësore për zhvillimin e ndeshjeve, turneu tashmë ofron edhe tribuna moderne, duke krijuar një atmosferë të veçantë për tifozët e shumtë që e ndjekin çdo vit.

Me një traditë të pandërprerë 36-vjeçare, “2 Korriku” konsiderohet ndër turnet më të vjetra në Kosovë, Ballkan dhe më gjerë. Ai mbahet në Beguncë të Vitis dhe është shndërruar në një simbol të sportit, bashkimit dhe ruajtjes së vlerave historike.

Çdo natë, ndeshjet tërheqin qindra tifozë, ndërsa finalja e madhe mbledh mijëra adhurues të futbollit, duke kaluar shpesh shifrën prej 5,000 spektatorësh.

Turneu “2 Korriku” vazhdon të jetojë brez pas brezi, duke ruajtur traditën dhe duke forcuar edhe më shumë lidhjen mes sportit, historisë dhe komunitetit.

Shkruar nga Krenar Ismajli

Shpërndaj me të tjerët