Nexhat Sylejmani, banor i lagjes “Dardania 2” në Gjilan, ka dalë me një reagim publik për të shprehur pakënaqësinë e tij dhe të bashkëqytetarëve lidhur me vendimin administrativ që, pas procesit të decentralizimit, kjo lagje të shkëputet nga Gjilani dhe t’i kalojë nën menaxhim Komunës së Novobërdës.
Përmes këtij reagimi, Sylejmani ka theksuar se ky ndryshim nuk përkon me interesat e banorëve, pasi lidhja e tyre me qytetin e Gjilanit është e hershme dhe e gjithanshme.
“Historikisht, ekonomikisht dhe shoqërisht, ne kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi të lidhur ngushtë me Gjilanin. Shumica e banorëve i kryejnë obligimet e përditshme, arsimin, shërbimet shëndetësore dhe aktivitetet e tjera jetësore në Gjilan. Për këtë arsye, ky ndryshim administrativ nuk e pasqyron realitetin dhe interesin e banorëve,” ka thënë ai.
Në emër të komunitetit të kësaj zone, Sylejmani u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që ta rishqyrtojnë këtë vendim dhe të marrin parasysh vullnetin e qytetarëve, duke potencuar se ata meritojnë të mbeten pjesë e komunës me të cilën kanë zhvilluar jetën e tyre për dekada të tëra.

