PARASHIKIMI MOTIT/Reshje shiu dhe luhatje temperaturash

Gjatë kësaj jave (12–16 Tetor 2026), Kosova do të karakterizohet nga mot i ndryshueshëm, me vranësira, intervale me diell dhe reshje shiu, veçanërisht të martën dhe të premten.

Temperaturat do të luhaten nga 3°C në mëngjes deri në 19°C gjatë ditës, ndërsa era do të fryjë nga veriperëndimi dhe verilindja me shpejtësi të ulët deri mesatare.

​Të hënën do të mbajë mot i vranët me diell (6°C deri 18°C), ndërsa të martën priten vranësira dhe reshje shiu (5°C deri 12°C).

Të mërkurën rikthehen intervalet me diell (4°C deri 14°C), kurse e enjtja do të jetë dita më e ngrohtë me diell e vranësira të shpërndara (4°C deri 19°C).

Të premten do të ketë diell në mëngjes, por gjatë ditës pritet shtim vranësirash dhe reshje të reja shiu (3°C deri 15°C).

​Luhatjet e temperaturave mund të shkaktojnë shqetësime te personat me sëmundje kronike, prandaj rekomandohet veshje e përshtatshme për orët e ftohta të mëngjesit dhe mbrëmjes.

Nga ana tjetër, reshjet e shiut janë mjaft mirëseardhëse për bujqësinë, pasi do të lagështojnë tokën, do të rimbushin rezervat ujore dhe do të krijojnë kushte optimale për mbjelljen e grurit e kulturave të tjera vjeshtore.

Shpërndaj me të tjerët