NOSTALGJI / Kur Desivojca kishte 400 nxënës dhe treg me Kumanovën, Ish-drejtori Bunjaku prek me kujtimet e fshatit malor

Kur Desivojca ishte qendër e Malësisë: Ish-drejtori Alisahit Bunjaku kujton kohën kur shkolla kishte 400 nxënës dhe tregu gumëzhonte edhe nga Kumanova

Desivojca, fshati më i thellë i komunës së Kamenicës që kufizohet me fshatrat shqiptare të Bujanocit, dikur ishte një pikë tejet e gjallë dhe një qendër e vërtetë për të gjithë zonën përreth.

Këtë kohë të artë, me nostalgji, mall dhe krenari, e ka rikujtuar arsimtari i matematikës dhe njëherësh ish-drejtori i shkollës, Alisahit Bunjaku.

Përmes një vështrimi prapa në kohë, ai ka përshkruar një Desivojcë krejt ndryshe nga ajo e sotmja, një vend që gumëzhonte nga banorët dhe që shërbente si vatër e rëndësishme ekonomike dhe arsimore.

Dita e premte: Tregu që mblidhte tregtarët deri nga Kumanova

Sipas kujtimeve të Bunjakut, dita e premte në Desivojcë ka qenë ditë tregu. Në sheshin e fshatit grumbulloheshin njerëz nga të gjitha fshatrat përreth, por edhe nga viset më të largëta.

“Vinin edhe nga Kumanova e largët për të shitur speca, domate, pjepra e bostan…”, kujton ai, duke shtuar se në atë kohë fshati kishte të hapura tri shitore që furnizonin banorët, si dhe zeje të ndryshme që sot vështirë se gjenden: farkatarin (kovaçin), sharrën për prerjen e dërrasave, nallbanin, riparuesin e këpucëve e po ashtu edhe pemtarinë.

Shkolla e dytë më e madhe në komunë me mbi 400 nxënës

Një vend të veçantë në kujtimet e ish-drejtorit zë shkolla e fshatit, e cila ka pasur një histori të jashtëzakonshme.

Mes viteve 1955-1960, sipas një raporti të drejtorisë së atëhershme të arsimit, kjo shkollë renditej si e dyta në tërë komunën e Kamenicës për nga numri i nxënësve.

Vetëm në Desivojcë shkolla numëronte mbi 400 nxënës, me klasë që kishin nga dy paralele e ku secila prej tyre kishte nga 30 e më tepër nxënës.

Arsimtari i Matematikws Bunjaku përmend edhe një fakt interesant historik: “Shkolla e vjetër, te arrat, dikur në vitet e 40-ta, ishte vendi ku qëndruan ushtarët italianë në mbrojtje të kufijve që na ndanin me Serbinë.”

Asfalti i ri sjell gëzim, por fshati mbetet i zbrazur

Krejt në fund, ai ndërlidh historinë me realitetin e sotëm. Para pak ditësh, për herë të parë në këtë fshat është shtruar rruga me asfalt që lidh segmentin Shipashnicë – Desivojcë – Tërstenë.

Ky investim i madh infrastrukturor i ka gëzuar pa masë banorët, edhe pse shumica prej tyre tashmë i kanë braktisur shtëpitë e tyre për një jetë më të mirë në qytet, duke e kthyer këtë rrugë të re në një urë lidhëse me vendlindjen e tyre plot histori.

 

 

Shpërndaj me të tjerët