Profesioni i ëmbëltoristit ka gjenezë të hershme në historinë tonë, por që një malësor nga Malësia e Bujanocit të merrej me këtë zeje gjatë viteve ’50 dhe ’60, mbase ishte diçka paksa e çuditshme për kohën.
Kështu nuk kishte menduar Mehmet Hetemi nga Novosella e Bujanocit, i cili në vitin 1962 mori vendimin për të hapur një lokal pastiqerie në Vranjë të Serbisë.
Sot, djali i tij Rexhepi, 74-vjeçar, tregon me nostalgji e krenari kujtimet e atyre viteve të para.
“I kisha vetëm 10 vjet kur babai hapi lokalin e vet me emrin ‘KITKA’. Në atë kohë qyteti i Vranjës ishte qendër për banorët e Malësisë së Bujanocit, shumica e të cilëve merreshin me prerjen e shitjen e drunjve në këtë qytet me shumicë të banorëve serbë,” kujton ai.
Përveçse një biznes familjar, ëmbëltorja “Kitka” shpejt u kthye në një vatër të ngrohtë takimi për bashkatdhetarët.
“Lokali ynë ishte pikëtakim për këta banorë të Malësisë. Aty kthenin në fund të ditës për të lënë apo marrë gjëra, për të pushuar e për të kuvenduar shoqi me shoqin apo miku me mikun. Ëmbëltorja jonë ishte e kompletuar dhe përmbante të gjitha llojet e ëmbëlsirave e pijeve të ndryshme. Lokali veçanërisht për shqiptarët ka qenë i njohur, sepse ka qenë i hapur në çdo kohë për ta,” thotë Rexha, siç e thërrasin shkurt.
Gjatë kësaj periudhe, familja Hetemi merrte pjesë rregullisht me produktet e saj edhe në panairet që organizoheshin në qytete të ndryshme, çka u siguronte një punë mjaft fitimprurëse.
Me modesti, Rexha veçon mjeshtërinë e jashtëzakonshme të të atit: “Babai ka qenë ‘kapak’ për bakllavë. Leje më që i bënte të shijshme, por edhe i gatuante shumë shpejt, diçka e jashtëzakonshme, sepse bakllava ka procedura të gjata dhe merr kohë, sidomos pjekja e saj.”
Pavarësisht se jetonin dhe punonin në një qytet me shumicë serbe, lokali familjar gëzonte respekt dhe vlerësim të madh për shkak të sjelljes, punës dhe profesionalizmit.
Mirëpo, situata ndryshoi pas ngjarjeve politike të viteve ’80. Kur në Prishtinë u organizuan demonstratat studentore të vitit 1981, një pjesë e serbëve nisi ta bojkotojë lokalin.
Duke e parë se situata nuk do të ishte më si më parë, familja vazhdoi punën deri në vitin 1986, kur përfundimisht e mbylli lokalin atje për t’u shpërngulur në Gjilan, ku kishin blerë shtëpi kaherë.
Në vitin 1990, traditën e ëmbëlsirave e rindezën sërish, kësaj radhe në Gjilan me emrin “Kosova”.
Sot ky lokal vazhdon punën me të njëjtin përkushtim, i udhëhequr nga gjenerata e tretë, Mirsadi, djali i Rexhës.
Edhe pse me kalimin e kohës lokali ka pësuar ndryshime si në aspektin teknologjik, ashtu edhe në pasurimin e produkteve, mikpritja dhe tradita e mirë e kësaj familjeje të respektuar vazhdojnë të mbeten të njëjta.
