ARSIM/ DKA në Gjilan po inspekton punimet në shkolla para fillimit të vitit të ri shkollor

Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) në Gjilan ka bërë të ditur se po përcjell nga afër punimet dhe përgatitjet intensive që po zhvillohen në institucionet arsimore të kësaj komune, me qëllim që viti i ri shkollor të nisë me kushte optimale për nxënësit dhe stafit mësimdhënës.

​Sipas njoftimit zyrtar, punime të rëndësishme infrastrukturore po realizohen në SHMU „Thimi Mitko“ dhe SHMU „Nazim Hikmet“, ku po punohet në përmirësimin, rregullimin dhe funksionalizimin e hapësirave shkollore. Ndërhyrje të ngjashme po zhvillohen paralelisht edhe në shkolla të tjera në nivel komune.

​Nga DKA e Gjilanit kanë theksuar se përgatitja dhe modernizimi i infrastrukturës mbetet një nga prioritetet kryesore, pasi një ambient i sigurt dhe funksional është parakusht për mbarëvajtjen e procesit mësimor.

​Gjithashtu, bëhet e ditur se DKA mbetet e përkushtuar që, në bashkëpunim me drejtoritë e shkollave dhe institucionet lokale, t’i përfundojë të gjitha punimet e planifikuara përpara fillimit të vitit të ri shkollor.

Shpërndaj me të tjerët