Skuadra e Dritës nuk po ndalet me përforcime në këtë afat kalimtar të verës, duke treguar qartë synimet e saj të mëdha për sezonin e ri.
Derisa ekipi gjilanas po i zhvillon stërvitjet intensive në Bansko të Bullgarisë, drejtuesit e klubit kanë një goditje të madhe në repartin e avancuar, duke afruar në radhët e veta mesfushorin ofanziv nga Belgjika, William Baeten.
29-vjeçari zbarkon te Drita pas një eksperience të fundit në Shqipëri me skuadrën e Flamurtarit të Vlorës.
Në anën tjetër klubi bardhekaltër, ka bërë të ditur se Baeten tashmë është bashkuar pjesës tjetër të ekipit në në Bullgari për t’u vendosur nën urdhrat e shtabit teknik
Përveç aventurës së tij të fundit në Shqipëri, ai në të kaluarën ka luajtur në nivelet e larta në Rumani, ka veshur fanellat e klubeve të njohura si FCSB dhe Universitatea Craiova.
Kjo dëshmon për kualitetin e tij, gjë që konfirmohet edhe nga vlerat e tij në tregun e transferimeve, kartoni i tij vlerësohet rreth 300 mijë euro, ndërsa në pikun më të lartë të tij, vlerat kanë arritur shifrën e lartë prej 800 mijë eurosh.
Me këtë lëvizje, Drita shton kreativitet dhe forcë në fillimin e sulmit, duke paralajmëruar një rrugëtim premtues si në arenën vendore, ashtu edhe në atë ndërkombëtare.

