LOKALE/Kryetari Alban Hyseni njofton se puna për Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve po hyn në fazën finale

Puna për ndërtimin e Kompleksit të Varrezave të Dëshmorëve në Gjilan po hyn në fazën e saj përfundimtare.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.

​Sipas tij, pas pranimit të projektit të dorëzuar nga OVL-UÇK, dega në Gjilan, komuna do të nisë shumë shpejt punimet në terren për përfundimin e plotë të këtij kompleksi.

​Me këtë rast, kryetari Hyseni ka shprehur falënderimet e tij për bashkëpunimin me përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta.

​„Faleminderit kryetarit të OVL-UÇK në Gjilan, Xhevdet Mehmetit, dhe Rashit Ymerit, kryetarit të Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, për bashkëpunimin dhe angazhimin e tyre të palodhshëm në jetësimin e këtij projekti“, ka deklaruar ai.

​I pari i Gjilanit nënvizoi se ky projekt përfaqëson një obligim institucional dhe moral për të nderuar denjësisht sakrificën e atyre që dhanë jetën për lirinë e vendit.

Shpërndaj me të tjerët