OPINION/Inflacioni në Kosovë – kur çmimet rriten, fuqia blerëse bie

Nga Avdyl Kastrati

​Kur çmimet e ushqimeve dhe karburanteve rriten, shifrat statistikore pushojnë së qeni thjesht numra mbi letër, ato kthehen në stres të përditshëm për mijëra familje kosovare.

Pyetja që shtrohet sot në çdo tryezë nuk është më sa kushton një produkt, por se çfarë do të duhet të hiqet dorë për ta përballuar atë.

Niveli i inflacionit në Kosovë ka pësuar luhatje të forta përgjatë dekadës së fundit: nga një periudhë stabiliteti relativ (2015–2020), tek goditja e madhe e vitit 2022 (11.6%) si pasojë e pandemisë dhe luftës në Ukrainë, e deri te vala e re e rritjes në vitin 2026 (7.3% në gusht).

Mirëpo, ajo që shpesh harrohet në debatin publik është efekti akumulues: vetëm gjatë periudhës 2021–2025, çmimet janë rritur në mënyrë të përbërë me rreth 28%.

Me fjalë të tjera, ajo shportë që në vitin 2020 blihej me 100 euro, sot kërkon të paktën 128 euro, pa sjellë asnjë produkt më shumë në shtëpi.

Varësia nga importi dhe goditjet e jashtme

Ekonomia e Kosovës mbetet thellësisht e ekspozuar ndaj krizave globale për shkak të varësisë strukturore nga importi.

Tensionet gjeopolitike mes SHBA-së dhe Iranit gjatë vitit 2026 kanë shtrenjtuar naftën dhe transportin ndërkombëtar, por kjo rritje e kostove të jashtme përkthehet menjëhatë në çmime më të larta në raftet e ushqimoreve tona.

Problemi qëndron te fakti se, ndërsa çmimet në tregun ndërkombëtar rriten dhe bien, çmimet në tregun tonë vendor shfaqin një “rigiditet” shqetësues: ato rriten me shpejtësi kur rritet kostoja e importit, por rrallëherë ulen kur tregjet globale stabilizohen.

Rreziku i keqkuptimit të statistikave

Ekziston një keqkuptim i shpeshtë publik: kur norma e inflacionit bie (siç ndodhi në vitin 2024 me 1.6%), qytetarët presin që çmimet të ulen.

Në realitet, ulja e normës së inflacionit do të thotë vetëm se çmimet po rriten më ngadalë, por ato mbeten në nivelin e tyre më të lartë historik. Fuqia blerëse e humbur gjatë viteve të fundit nuk është rikthyer.

Më së shumti po e pësojnë kategoritë më të ndjeshme: pensionistët, familjet me asistencë sociale, punëtorët me paga fikse dhe bizneset e vogla që përballen me rënie të kërkesës.

Si duhet të adresohet kjo situatë?

Menaxhimi i kësaj sfide kërkon masa konkrete dhe të mirëmenduara fiskale.

Si pikënisje, shteti duhet të mbrojë kategoritë më të prekura përmes indeksimit të pagave minimale dhe pensioneve me koston reale të jetesës, në mënyrë që shtresat më të cenueshme të mos humbasin fuqinë blerëse bazë.

Paralelisht me këtë, nevojitet një kontroll më i rreptë i autoriteteve të konkurrencës në treg për të parandaluar keqpërdorimet dhe rritjen abuzive të çmimeve me arsyetimin e krizave globale.

Për më tepër, mbështetja e drejtpërdrejtë e prodhimit vendor dhe investimet strategjike në sektorin e energjisë do të ndihmonin në uljen e varësisë sonë nga importet dhe në krijimin e një mbrojtjeje afatgjatë ndaj goditjeve të jashtme.

Ruajtja e fuqisë blerëse nuk është thjesht një çështje shifrash financiare, është çështje e dinjitetit të qytetarit dhe e stabilitetit social të vendit.

Prej politikave të sotme varet nëse këtë valë rritjesh do ta përballojmë si një shoqëri me mbrojtje solide, apo do të lejmë shtresat më të cenueshme të mbajnë të gjithë barrën e krizës.

(Autori është ekonomist i diplomuar dhe njëherësh Drejtor për Buxhet dhe Financa në Gjilan)

Shpërndaj me të tjerët