HISTORI PREKËSE/ Shiti tokën për klubin e zemrës, ky është rrëfimi për legjendën e Gjilanit që la gjurmë

Ka njerëz që sportin e kanë thjesht profesion, dhe ka të tjerë që për të sakrifikojnë gjithçka, deri në pasurinë familjare. I tillë është Ajnur Maksuti, i lindur më 1955 në Gjilan, një emër që mban peshë të rëndë në historinë e futbollit lokal.

Portier, trajner, sponsor, zyrtar dhe kryetar klubi, Maksuti ka ushtruar çdo rol të mundshëm në sport, gjithmonë i njohur si një personalitet i qetë, i urtë, punëtor pa zë dhe me një edukatë unikate.

Fillimet si 16-vjeçar: Dashuria e rastësishme për portën

Gjithçka nisi krejt natyrshëm në lagjet e Gjilanit. Si më i vogli ndër shokët e të afërmit, Ajnuri e gjente veten gjithmonë të vendosur mes dy shtyllave: “Hyn në portë!”, i thoshin të gjithë. E pikërisht nga kjo lojë lagjeje, lindi një dashuri e madhe për rolin e portierit që do t’i përcaktonte rrugëtimin e jetës.

Meqë në atë kohë nuk kishte gjeneratë të pionierëve, Maksuti karrierën e nisi direkt tek juniorët e skuadrës së atëhershme “Crvena Zvezda” e Gjilanit  Pas dy vitesh, ai kalon në ekipin e parë, por për shkak të konkurrencës së madhe dhe pranisë së 4 portierëve, mes të cilëve edhe portieri legjendar Hajrush Latifi, ai huazohet për një vit te KF Tekstili.

Pas kësaj përvoje, rikthehet në klubin kuq e bardhë ku për katër vjet shërben si rezerva e parë e Latifit, ndërsa më pas deri në sezonin 1981/82 ka qenë  titullar i saj..

Këmbëngulja për t’u bërë bardhekaltër

Dëshira e Maksutit për të kaluar te KF Drita ishte e madhe, por strukturat e klubit të tij nuk ia jepnin fletëkalimin. Megjithatë, vendosmëria e tij ishte e pakthyeshme.

Ai shfrytëzoi rregulloret e atëhershme sportive dhe arriti të kalonte te Drita, edhe pse iu desh ta niste regjistrimin e ri nga fillimi. Dhe i në portën e Dritës nisi në sezonin 1982/83.

Ai mbrojti portën bardhekaltër për rreth tri vite në Ligën e Parë të Kosovës, deri në vitin 1988, kur vari përfundimisht dorëzat në gozhdë.

Vitet e vështira të ’90-ta: Sakrifica e madhe financiare për Dritën

Maksuti nuk mund të qëndronte larg sportit. Në vitin 1991, kur sporti kosovar u nda dhunshëm nga pushteti i atëhershëm serb, ai zgjidhet kryetar i Sindikatës së Sporteve për komunën e Gjilanit dhe kryetar i Komisionit të Garave në Futboll të Vogël, të organizuar nga Forumi Rinor i LDK-së.

Në sezonin 1991/92, ai merr fillimisht postin e nënkryetarit të KF Drita, dhe më pas bëhet kryetar i klubit deri në vitin 1995. Kjo ishte periudha më e lavdishme, por edhe më e vështirë e kontributit të tij.

Në një kohë të mbushur me mbijetesë dhe pa asnjë fond, Maksuti nuk ishte thjesht kryetar, por sponsori kryesor. Ndonëse vetë ai nuk preferon ta përmendë nga modestia, bashkëkohësit e tij dëshmojnë se ai shiti tokë nga pasuria familjare vetëm për të mbajtur gjallë KF Dritën dhe sportin gjilanas.

Trajneri i palodhshëm i gjeneratave të reja

Pas përfundimit të luftës, Maksuti iu rikthye fushës së gjelbër në rolin e trajnerit. Nga viti 1998 punoi me portierët e ekipit të parë të Dritës, ndërsa nga viti 2002 deri më 2005 drejtoi me sukses juniorët e klubit. Kontributi i tij u shtri edhe në futbollin e femrave, ku punoi si trajner te skuadra e Hajvalisë poer edhe te ajo gjilanase.

Sot, pas një jete të tërë të dedikuar futbollit, Ajnur Maksuti vazhdon të japë kontributin e tij të çmuar. Që nga viti 2024, ai është pjesë e shkollës së futbollit të KF Drita, duke trajnuar portierët e të gjitha kategorive të reja dhe duke u përcjellë atyre jo vetëm teknikat e portës, bashkë me përvojën e tij të gjatë, por edhe edukatën e lartë sportive që e ka karakterizuar gjithmonë.

Shënim: Ky tekst nuk mund të kopjohet as të tjetërsohet.

Mund të shpërndahet vetëm si link.

Falemnderit për respektimin e etikës së gazetarisë!

Botuesi dhe redaktori:

/F.S./

 

 

Shpërndaj me të tjerët