Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, ka dalë në konferencë për media para përballjes kundër Drenicës, një kundërshtar që sipas tij gjithmonë ka treguar formë të mirë dhe kërkon vëmendje maksimale.
Tekniku i bardhekalpërve theksoi se mbështetet te potenciali i grupit dhe se kërkon nga çdo futbollist të japë më të mirën nga vetja në fushën e lojës.
“Drenica çdo herë ka treguar formë të mirë. Ne mbështetemi te potenciali ynë dhe te grupi, me qëllim që secili të bëjë maksimumin. Ka pak lodhje, por pres të jemi më të freskët sepse ndeshja zhvillohet në mbrëmje. Futbollistët e ardhur janë cilësorë dhe e rrisin konkurrencën brenda skuadrës,” deklaroi Nuhiu.
I pyetur për qasjen taktike, Nuhiu bëri të ditur se Drita do të kërkojë të diktojë ritmin nga minuta e parë:”Drita do të luajë me lojë ofanzive dhe dominuese në të gjitha aspektet. Do të jemi më agresivë, do ta kontrollojmë lojën dhe do të kërkojmë ta kemi topin në posedim.”
