KULTURË/Aktori nga Gjilani nderohet me çmimin prestigjioz “Community Hero Award 2026” në Zvicër

Gjatë edicionit të 6-të të mbrëmjes gala Swissalbs, një prej ngjarjeve më të mëdha të komunitetit shqiptaro-zviceran në Zvicër që mbledh rreth 500 personalitete nga bota e biznesit e kulturës, aktorit të njohur nga Gjilani i është ndarë çmimi i veçantë “Community Hero Award 2026”.

​Ky vlerësim i përvitshëm, i cili më parë u është ndarë personaliteteve si Islam Alijaj dhe futbollistit Xherdan Shaqiri, vjen si një njohje për kontributin e tij 26-vjeçar në art, kulturë dhe në ndërtimin e urave lidhëse mes artistëve shqiptarë, zviceranë dhe atyre ndërkombëtarë.

​Përmes një mesazhi me plot emocione, aktori ka shprehur mirënjohjen e tij për këtë arritje, duke e cilësuar si çmimin më prekës të karrierës së tij:

Pas 26 vitesh karrierë, ky është ndoshta çmimi që më ka emocionuar më së shumti. Sepse nuk ishte vetëm një çmim për një rol, film apo shfaqje teatrore, por një vlerësim për atë që kam arritur të jap për komunitetin tim, kulturën tonë dhe urat mes vendit prej nga vij dhe vendit ku jetoj.”

Gjatë viteve të fundit, aktori gjilanas ka shënuar suksese të mëdha në skenën ndërkombëtare e vendore, përfshirë pjesëmarrjen me filmin “Heldin” në Berlinale dhe kandidimin e tij nga Zvicra për Academy Awards, triumfin në Swiss Film Awards, si dhe marrjen e çmimit prestigjioz Prix Walo në Kongresshaus të Cyrihut.

​Përveç angazhimeve të shumta në teatër dhe projekteve bashkëpunuese ndërmjet zviceranëve dhe teatrove të Kosovës, ai njihet nga publiku gjerë edhe për rolet në serialet e hitit si “O Sa Mirë” dhe “Sha je be tu folen”, si dhe për themelimin e Shqip Up Comedy Festival në Zvicër.

​Në përmbyllje të mesazhit të tij, ai ka falënderuar familjen, bashkëpunëtorët dhe organizatën Swissalbs, duke shprehur krenarinë e tij për rrënjët nga Kosova dhe mundësitë që i ka ofruar Zvicra si shtëpi e tij e dytë.

Shpërndaj me të tjerët