Ekskluzive: Firmëtar i Kushtetutës dhe zë i urtësisë në Gjilan, Rruga e Isa Shefkiut

Njeriu që e njohu më së miri Kuvendin komunal, Isa Shefkiu, figurë e dijes, maturisë dhe trashëgimisë së shëndoshë.

Në moshën 77-vjeçare, Isa Shefkiu mbetet një nga figurat më të njohura dhe të respektuara të jetës institucionale në Gjilan. Ai është ndër të paktët që ka pasur një qasje kaq të thellë dhe të gjithanshme në funksionalitetin e Kuvendit komunal, duke qenë ndër vite sekretar Kuvendi, kryetar komune, delegat komunal dhe krahinor.

Me profesion jurist dhe magjistër i shkencave juridike para luftës, Shefkiu përfaqëson një brez të rrallë të intelektualëve të përkushtuar. Ai flet rrjedhshëm shqip, turqisht dhe serbokroatisht, dhe ka lexuar literaturë të gjerë në të tri gjuhët. I njohur për logjikën, maturinë dhe parimet e tij, Isa Shefkiu ka qenë gjithmonë një figurë e respektuar dhe e balancuar në vendimmarrje.

Kryetar komune në kohë të vështira

Si kryetar komune ai kishte përballuar sfida të shumta të kohës dhe kishte qëndruar stoikisht, pa u zhytur kurrë në punë të pandershme. Èshtë një personalitet me vlera të larta njerëzore dhe profesionale. Njihet si njeri shumë i drejtë dhe objektiv. Dera e tij si kryetar komune kishte qenë në çdo kohë e hapur dhe shtresat e varfra i trajtonte me dinjitet dhe modesti, pa injorancë dhe shpesh ju kryente punë, veçanërisht për punësimet.

Firmëtar i Kushtetutës së Kaçanikut

Më 7 shtator 1990, si delegat i Kuvendit të Kosovës, Shefkiu ishte pjesë e atyre që shpallën Kushtetutën e Republikës së Kosovës në Kaçanik, në një kohë të rrezikshme nga regjimi serb. Për këtë akt historik, ai kaloi mbi katër vjet në arrati në Turqi, pasi kërkohej nga pushteti serb.

Ai e kujton me krenari ditën e Kaçanikut, ku kishte shkuar me veturën personale bashkë me dy delegatë nga Gjilani, pa ndier aspak frikë, i bindur se po merrte pjesë në një akt që do të ndryshonte historinë.

Kontributi në institucione dhe arsim

Gjatë viteve, Isa Shefkiu ka dhënë kontribut të çmuar në institucione të ndryshme: sekretar në ndërmarrjen tregtare “16 Nëntori” dhe më vonë në Bankos, Bankën Themelore të Kosovës, zëvendësprokuror i qarkut në Gjilan për katër vite, ligjërues i lëndëve juridike në kolegjin “Gjilani” pas luftës, për një vit të plotë, mësimdhënës që nga mosha 18-vjeçare, përshirë edhe paralelet turke dhe serbe në gjimnaz.

Edhe sportist, edhe drejtues sportiv

Përveç karrierës institucionale, Shefkiu ka qenë edhe futbollist i klubit Crvena Zvezda të Gjilanit, e më pas anëtar i kryesisë së këtij klubi për dy mandate.

Një familje me histori

Nga familja e tij vjen edhe Fahri Rashiti Gorani, mjeku i parë shqiptar në Gjilan,  një tjetër dëshmi e rrënjëve të thella dhe kontributit të kësaj familjeje në shër-bim të qytetit dhe popullit.

Sot, Isa Shefkiu gëzon respektin si një figurë e urtësisë dhe përkushtimit qytetar. Ai është krenar për trashëgiminë që po lë: një familje e arsimuar dhe e emancipuar, pasardhës që ecin me dinjitet në gjurmët e vlerave të tij.

 

 

Shpërndaj me të tjerët