Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Gjilan ka marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Odës së Infermierëve të Kosovës (OIK) dhe Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare në nivel vendi.
Në emër të QKMF-së në Gjilan, marrëveshjen e ka nënshkruar drejtori i këtij institucioni shëndetësor, Dr. Basri Kamberi.
Ky proces është mbështetur dhe fasilituar nga Projekti “Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm dhe Cilësor” (AQH).
Përmes kësaj marrëveshjeje synohet garantimi i qëndrueshmërisë së trajnimeve profesionale në kuadër të zbatimit të Pakos Esenciale për menaxhimin e sëmundjeve jo-ngjitëse.
Po ashtu, memorandumi parasheh integrimin e modulit për Këshillimin Intervistues-Motivues dhe Kujdesin ndaj të Moshuarve në programin e rregullt të Zhvillimit të Vazhdueshëm Profesional (ZHVP) për të gjithë infermierët e Kujdesit Parësor Shëndetësor.
Ky bashkëpunim institucional përbën një hap me rëndësi drejt formalizimit të programeve të akredituara të trajnimit, duke ndikuar drejtpërdrejt në ngritjen e kapaciteteve profesionale të personelit infermieror dhe në rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore për komunitetin.
Udhëheqja e QKMF-së në Gjilan rikonfirmoi përkushtimin e saj për zhvillimin e mëtejmë profesional të stafit dhe për ngritjen e vazhdueshme të standardeve të kujdesit shëndetësor ndaj qytetarëve.
