KOMBËTARE/Të premten sheshi i Gjilanit flet me një zë për UÇK-në!

Aktivisti i njohur qytetar nga Gjilani, Arlind Vokshi, i cili kohë më parë e mbushi qytetin me flamuj të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i ka bërë thirrje publike të gjithë qytetarëve, institucioneve dhe organizatave lokale që të bashkohen në një marsh të madh paqësor për drejtësi.

​Përmes një porosie drejtuar bashkëqytetarëve të tij, Vokshi ka theksuar se ka ardhur koha që Gjilani të tregojë edhe një herë dinjitetin dhe përkushtimin ndaj historisë dhe sakrificës kombëtare.

​”Ka momente në histori kur heshtja bëhet peshë, e zëri i qytetarëve bëhet detyrim. 25 shtatori është një prej atyre ditëve. Ky është një marsh paqësor i qytetarëve të Gjilanit, një mesazh se vuajtja e mijëra familjeve shqiptare nuk harrohet dhe se historia jonë nuk shkruhet me heshtje,” është shprehur Vokshi.

​Aktivisti u ka bërë thirrje të veçantë të gjitha kategorive të shoqërisë gjilanase që të mobilizohen pa asnjë dallim:

​Sektorit të arsimit: Drejtorisë Komunale të Arsimit dhe shkollave që t’ia kushtojnë orët e pasdites këtij marshi.

​Shoqërisë civile e biznesit: OJQ-ve dhe komunitetit të gastronomëve për mbështetje dhe pjesëmarrje.

​Grupeve të tifozëve: Rrivalëve të tribunave, “Intelektualët” dhe “Skifterat”, që të bëhen një zë i vetëm për UÇK-në.

​Bashkësisë Islame: Të ftojë xhematin gjatë lutjeve të së premtes për t’u bërë pjesë e organizimit.

​Krahut politik: Të gjitha partive politike pa dallim, që t’u bëjnë thirrje strukturave të tyre të marrin pjesë si qytetarë të barabartë.

​Organizatorët theksojnë se Gjilani ka ditur gjithmonë t’i përgjigjet thirrjes së historisë dhe se kjo ngjarje do të jetë dëshmi e unitetit për ruajtjen e vlerave të luftës çlirimtare.

​Informata mbi organizimin:

  • ​Data: 25 shtator
  • ​Koha: 17:00
  • ​Vendi: Para Teatrit të Qytetit në Gjilan
Shpërndaj me të tjerët