Kuvendi Komunal i Gjilanit, në seancën e tij të VIII-të, ka miratuar shtatë propozime të rëndësishme të propozuara nga Drejtoria për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, e cila udhëhiqet nga drejtoresha Eljesa Rashiti.
Vendimet e marra synojnë zhvillimin e komunës, mbrojtjen e mjedisit dhe përmbushjen e nevojave direkte të qytetarëve.
Gjatë kësaj seance u miratuan dy propozim-vendime për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronave komunale të destinuara për ndërtim.
Përmes kësaj marrëveshjeje, Komuna e Gjilanit do të përfitojë 30 për qind të hapësirës së ndërtimit që i takon pjesës së saj të pronës, duke garantuar përfitime direkte nga shfrytëzimi i pasurisë publike.
Përveç zhvillimit urban, u adresua edhe një nevojë e kahmotshme e komunitetit lokal përmes miratimit të vendimit për sigurimin e 5,575 m² tokë në fshatin Lladovë, e cila do të shërbejë për zgjerimin e varrezave të fshatit.
Vëmendje e veçantë iu kushtua mbrojtjes së mjedisit dhe rekreacionit. Kuvendi miratoi tri propozim-vendime për shpalljen e interesit të ligjshëm publik me qëllim ripyllëzimin dhe mbrojtjen e natyrës, duke siguruar sipërfaqe toke në tri lokalitete:
Zhegër: 7,032 m², Lladovë: 2,142 m², Stançiq: 1,162 m²
Ndër vendimet më me peshë për ruajtjen e kujtesës historike është ndarja e dy hektarëve pronë komunale në Zhegër.
Kjo hapësirë do të shfrytëzohet për ndërtimin e Muzeut dhe Kullës “Agim Ramadani”, në nderim të veprës dhe sakrificës së heroit kombëtar.
Pas miratimit të këtyre pikave, drejtoresha Eljesa Rashiti ka falënderuar stafin e drejtorisë për punën e palodhshme si dhe këshilltarët komunalë për mbështetjen e këtyre propozimeve me interes të përgjithshëm publik.
