Aktivisti i njohur qytetar nga Gjilani, Arlind Vokshi, i cili kohë më parë e mbushi qytetin me flamuj të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i ka bërë thirrje publike të gjithë qytetarëve, institucioneve dhe organizatave lokale që të bashkohen në një marsh të madh paqësor për drejtësi.
Përmes një porosie drejtuar bashkëqytetarëve të tij, Vokshi ka theksuar se ka ardhur koha që Gjilani të tregojë edhe një herë dinjitetin dhe përkushtimin ndaj historisë dhe sakrificës kombëtare.
”Ka momente në histori kur heshtja bëhet peshë, e zëri i qytetarëve bëhet detyrim. 25 shtatori është një prej atyre ditëve. Ky është një marsh paqësor i qytetarëve të Gjilanit, një mesazh se vuajtja e mijëra familjeve shqiptare nuk harrohet dhe se historia jonë nuk shkruhet me heshtje,” është shprehur Vokshi.
Aktivisti u ka bërë thirrje të veçantë të gjitha kategorive të shoqërisë gjilanase që të mobilizohen pa asnjë dallim:
Sektorit të arsimit: Drejtorisë Komunale të Arsimit dhe shkollave që t’ia kushtojnë orët e pasdites këtij marshi.
Shoqërisë civile e biznesit: OJQ-ve dhe komunitetit të gastronomëve për mbështetje dhe pjesëmarrje.
Grupeve të tifozëve: Rrivalëve të tribunave, “Intelektualët” dhe “Skifterat”, që të bëhen një zë i vetëm për UÇK-në.
Bashkësisë Islame: Të ftojë xhematin gjatë lutjeve të së premtes për t’u bërë pjesë e organizimit.
Krahut politik: Të gjitha partive politike pa dallim, që t’u bëjnë thirrje strukturave të tyre të marrin pjesë si qytetarë të barabartë.
Organizatorët theksojnë se Gjilani ka ditur gjithmonë t’i përgjigjet thirrjes së historisë dhe se kjo ngjarje do të jetë dëshmi e unitetit për ruajtjen e vlerave të luftës çlirimtare.
Informata mbi organizimin:
- Data: 25 shtator
- Koha: 17:00
- Vendi: Para Teatrit të Qytetit në Gjilan
