Përfaqësuesja e Kosovës ka shënuar një fitore të madhe dhe me plot meritë përballë Republikës së Irlandës, në ndeshjen e vlefshme për Grupin B3 të Ligës së Kombeve.
Herói i mbrëmjes ishte kapiteni Vedat Muriqi, i cili realizoi golin e vetëm dhe të vendimtar në këtë sfidë.
Sulmuesi shtatëlartë shfrytëzoi me mjaft mjeshtëri njërën nga mundësitë e shumta të krijuara, duke kaluar Kosovën në avantazh dhe duke elektrizuar shkallët e stadiumit.
Edhe pse rezultati përfundimtar ishte 1-0, fitorja e “Dardanëve” mund të kishte qenë shumë më e thellë.
Kosova e diktoi ritmin nga minuta e parë deri tek e fundit, duke krijuar raste të njëpasnjëshme dhe duke mos i lënë pothuajse asnjë hapësirë kundërshtarit.
Dominimi absolut në fushë u reflektua në zotërimin e topit dhe goditjet e shumta drejt portës irlandeze.
Me këtë performancë bindëse dhe tre pikët e reja, Kosova konfirmon formën e saj të shkëlqyer në këtë kampanjë, duke bërë një hap të rëndësishëm para në objektivat e saj brenda grupit.
