Fizikanti nga Gjilani, Eros Halili, po merr pjesë dhe po prezanton punimin e tij shkencor në Kongresin Evropian të Fizikës Mjekësore (European Congress of Medical Physics – ECMP 2026), i cili po zhvillohet nga data 23 deri më 26 shtator në Valenci të Spanjës.
Kjo ngjarje renditet ndër më prestigjiozet në Evropë për nga rëndësia shkencore dhe teknologjike në këtë fushë.
Kongresi i sivjetmë ka mbledhur mbi 1,200 ekspertë, studiues dhe profesionistë nga e gjithë bota.
Në këtë ngjarje masive, ku numri i prezantuesve është i kufizuar, fizikanti Eros Halili është i vetmi përfaqësues nga Kosova dhe Shqipëria.
Punimi i tij shkencor, i prezantuar në gjuhën angleze, titullohet “Monte Carlo-based validation of electron beam dosimetry for clinical QA using FLUKA”.
Ky studim trajton përdorimin e simulimeve të avancuara ‘Monte Carlo’ përmes programit FLUKA për të kontrolluar saktësinë e dozës së rrezatimit me elektrone, e cila përdoret në mjekësi për trajtimin e kancerit dhe tumoreve sipërfaqësore.
Pjesëmarrja dhe prezantimi i Halilit në këtë nivel ndërkombëtar përbën një sukses të rëndësishëm për përfaqësimin e kuadrove tona profesionale në arenën globale, si dhe për sjelljen e përvojave më bashkëkohore që ndikojnë drejtpërdrejt në avancimin e mjekësisë moderne dhe kontrollit të cilësisë në terapi.
