ARSIM/​Nga bankat e shkollës në krye të administratës

Shkolla e Mesme e Ulët “Mulla Idris Gjilani” në Velekincë sot pati kënaqësinë dhe emocionin e veçantë të mirëpresë ish-nxënësin e saj, Elbasan Shabani, i cili sot ushtron detyrën e drejtorit të Drejtorisë Komunale të Administratës së Përgjithshme në Gjilan.

​Rikthimi i një ish-nxënësi në shkollën ku dikur ka kaluar ditët e para të dijes, shoqërisë dhe formimit, është gjithmonë një moment i veçantë.

Disa vende nuk i lëmë kurrë pas, ato mbeten përherë pjesë e kujtimeve dhe rrugëtimit tonë. Elbasani u kthye sot në shkollën e tij, tashmë në një rol tjetër zyrtar, por duke hapur të njëjtën derë që dikur e kalonte si nxënës.

​Me këtë rast, drejtori i shkollës, Zaim Zymeri, e përshëndeti ngrohtësisht ish-nxënësin e tij dhe shprehu krenarinë e të gjithë kolektivit për arritjet e tij:

​“Rikthimi i Elbasanit sot në shkollën tonë na mbush me një krenari të jashtëzakonshme. Ky takim na kujton se pas çdo banke shkolle mund të fshihet një ëndërr, një rrugëtim dhe një e ardhme e madhe. Në emër të të gjithë shkollës, i uroj Elbasanit suksese të mëtejshme në detyrën dhe përgjegjësitë e rëndësishme që mban,” u shpreh drejtori Zaim Zymeri.

​”Mirë se u ktheve në shkollën tënde, Elbasan! Dyert e kësaj shkolle do të jenë gjithmonë të hapura për ty dhe për të gjithë ish-nxënësit tanë,” shtoi më tej drejtori Zymeri.

Ish-mësimdhënësit e tij e pritën po ashtu me emocion dhe krenari të veçantë, duke rikujtuar me mall ditët kur ai ishte njëri prej nxënësve të tyre në këto banka.

​Nga banka e nxënësit te përgjegjësitë drejtuese, një rrugëtim që frymëzon nxënësit e sotëm dhe e bën krenare të gjithë komunitetin e shkollës SHFMU “Mulla Idris Gjilani”.

Shpërndaj me të tjerët